Tetova themelon Këshillin për Parandalim: Institucionet dhe feja bashkë për kohezion shoqëror
Përfaqësues nga institucionet shtetërore, bashkësitë fetare dhe organizata tjera të rëndësishme, ishin pjesë të tryezës së Këshillit Komunal për Preventivë. Mbledhja u mbajt në Komunën e Tetovës, ku u zgjodhën anëtarët e këshillit lokal.
Numri një i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në fjalën e tij theksoi se ky këshill është themelor për parandalimin e dukurive që rrezikojnë kohezionin shoqëror.
“Si qytet dhe si shtet multietnik e multikonfesional, kemi detyrim të përcjellim mesazhe unifikuese dhe të forcojmë frymën e bashkëjetesës. Vetëm kështu do të garantojmë stabilitet dhe të ardhme më të sigurt për qytetarët tanë,” theksoi Kasami.
Sipas tij, Komuna e Tetovës, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, prokurorinë, qendrat sociale, shkollat dhe prijësit fetarë, do të ndërmarrë hapa konkretë që qytetarët të jetojnë në paqe, harmoni dhe respekt të ndërsjellë.
“Angazhimi ynë i përbashkët është garanci se qytetarët e Tetovës do të ndihen të mbrojtur, të respektuar dhe të barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Vetëm përmes bashkëpunimit mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të fortë”, theksoi kryetari Kasami.