Tentativë kontrabande në aeroport: Kapen 48.8 gramë hashash në bagazhin e pasagjerit nga Gostivari
Doganierët në hyrje të vendit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë parandaluar një përpjekje për kontrabandë të 48.8 gramëve hashash, të fshehur në bagazhin personal të një banori të Gostivarit që po udhëtonte nga Cyrihu. Lënda narkotike u gjet gjatë një kontrolli të detajuar të bagazhit, ku mes sendeve personale të pasagjerit u zbulua një qese vakumi e mbushur me hashash, të cilën ai e kishte blerë në Gjermani me qëllim ta transportonte dhe ta nxirrte ilegalisht në qarkullim në Maqedoni.
Autoritetet doganore njoftojnë se pas konstatimit të substancës së dyshimtë, është aktivizuar menjëherë Departamenti i Hetimeve i Sektorit të Kontrollit dhe Hetimeve. Pasagjeri është privuar nga liria, ndërsa ndaj tij është ngritur kallëzim penal për “prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, vepër e dënueshme sipas Kodit Penal.
Sipas Drejtorisë së Doganave, rasti është një tjetër dëshmi e vigjilencës dhe profesionalizmit të shërbimeve doganore në identifikimin dhe neutralizimin në kohë të metodave gjithnjë e më të sofistikuara të kontrabandës së narkotikëve.