Telma: Po përfundon mbledhja e dokumenteve për ekstradimin e Gruevskit
Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup që të dorëzojë të gjitha ndryshimet që mund të ndikojnë në procedurën e ekstradimit, për çka ka marrë përgjigjet e nevojshme.
Të gjitha dokumentet e nevojshme për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë.
Këtë për televizionin Telma e kanë konfirmuar nga Gjykata Penale, ku aktualisht ende zhvillohen, por ka edhe procese tashmë të përfunduara kundër të akuzuarit azilant.
Nga Ministria e Drejtësisë i është kërkuar gjykatës të dorëzojë të gjitha ndryshimet që mund të ndikojnë në procedurën e ekstradimit, për çka janë siguruar përgjigjet e kërkuara.
Edhe ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, para dy ditësh konfirmoi se po pritet formimi i qeverisë së re në Hungari – vendi ku u arratis Gruevski – që institucionet atje të njoftohen se Maqedonia është e interesuar ta kthejë të arratisurin, i cili ndërkohë ka fituar azil politik.
Qeveria në Hungari pritet të konstituohet më 9 maj, Dita e Evropës.
Azili i Gruevskit nuk mund të hiqet brenda natës, dhe deri atëherë ai nuk mund të ekstradohet.
Më herët, në një intervistë për “360 Gradë”, avokati nga Komiteti i Helsinkit në Hungari, Zholt Sekeresh, deklaroi se statusi i refugjatit i një personi rishikohet çdo tre vjet. Rishikimi mund të iniciohet edhe jashtëzakonisht, por në atë rast duhen disa muaj për të marrë një vendim përfundimtar, pavarësisht politikave dhe paralajmërimeve të personit që pritet të bëhet kryeministër i ri i Hungarisë, Peter Magyar.
Bashkëbiseduesi nuk e përjashton mundësinë që, në teori, Nikolla Gruevski tashmë mund të ketë edhe shtetësi hungareze. Ai kishte të drejtë të aplikonte për të tre vjet pasi kishte marrë statusin e refugjatit. Vendimi për kërkesa të tilla është diskrecional dhe merret nga presidenti i Hungarisë.
Nga ana tjetër, nëse kthehet, Gruevski duhet të vuajë një dënim me burg prej dhjetë vjet e gjysmë për rastet “Dhuna në Qendër” dhe “Parcelat në Vodno”. Nga Gjykata Themelore Penale Shkup njoftuan se kundër tij zhvillohen edhe procese gjyqësore në mungesë për rastet “Titanik” dhe “Talir 2”.