Të shtënat izraelite vrasin një vajzë palestineze brenda klasës në Gaza
Të shtënat izraelite vranë një nxënëse palestineze të klasës së tretë brenda klasës së saj në veri të Gazës sot, në një shkelje të re të marrëveshjes së armëpushimit, tha Ministria e Arsimit, transmeton Anadolu.
Ministria e identifikoi vajzën si Ritaaj Rihan, duke thënë se ajo ishte ulur në bankën e saj në Shkollën “Abu Ubaida bin al-Jarrah” kur u qëllua para shokëve të klasës.
Ministria tha se incidenti shkaktoi traumë të rëndë psikologjike tek nxënësit, duke e përshkruar vrasjen si “krim brutal dhe të tmerrshëm”.
“Nuk ishte incident i izoluar, por vazhdim i drejtpërdrejtë i një politike sistematike që synon popullin palestinez”, tha ministria.
Ministria tha se Izraeli mban përgjegjësi të plotë për vrasjen dhe paralajmëroi se heshtja e vazhdueshme ndërkombëtare përbën “bashkëfajësi”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 738 palestinezë janë vrarë dhe 2.036 të tjerë janë plagosur në sulme pothuajse të përditshme izraelite, në shkelje të armëpushimit që është në fuqi që nga tetori 2025.
Armëpushimi pasoi më shumë se dy vite të një lufte gjenocidale, e cila ka vrarë mbi 72 mijë palestinezë, ka plagosur më shumë se 172 mijë dhe ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës së enklavës.
