
Të rinjtë nuk përgjigjen më në telefon: mungesë mirësjelljeje apo trend i ri?
Të rinjtë shpesh duken sikur e kanë telefonin ngjitur në dorë, por nuk i përgjigjen kur ai bie. Ky skenar, i njohur për shumë prindër, mund të duket absurd dhe zhgënjyes, madje edhe shqetësues për disa. Megjithatë, ai tregon shumë për mënyrën se si të rinjtë e moshës 13 deri në 18 vjeç lidhen (ose nuk lidhen) sot me të tjerët.
Edhe pse smartfonët janë gjithmonë të pranishëm në jetën e përditshme të adoleshentëve, kjo nuk do të thotë se ata i përdorin në të njëjtën mënyrë si të rriturit.
Ky hezitim për t’u “përgjigjur në telefon” nuk është thjesht një tipar gjeneratash: ai sinjalizon një transformim më të thellë të praktikave të komunikimit, normave shoqërore dhe etikës digjitale.
Ka shumë më tepër pas këtij qëndrimi të heshtur se sa klisheja e “adoleshentit të paarritshëm”. Dinamikat sociale, afektive dhe emocionale që luajnë rol tek kjo grupmoshë ia vlejnë të deshifrohen.
Kontrolli i bisedës
“Nuk i përgjigjem kurrë thirrjeve, përveç nëse është mami, ose një emergjencë, si një test i papritur në shkollë, ose një shok që është alarmuar për diçka,” thotë Léa, 15 vjeçe, duke qeshur. Pas këtij komenti në dukje banal fshihet një ndryshim më i thellë se sa duket. Telefonat, dikur të konsideruar si mjetet thelbësore të zërit për biseda të drejtpërdrejta, po përdoren gjithnjë e më pak për të bërë thirrje.
Për adoleshentët, thirrjet me zë nuk janë më mënyra e zakonshme e komunikimit. Ato po bëhen përjashtim, të përdorura në kontekste shumë specifike, si situata emergjente, momente stresi ose kur kërkohet ngushëllim i menjëhershëm. Në të gjitha rastet e tjera, dërgimi i mesazheve është opsioni i preferuar. Arsyeja nuk është dembelizmi, por komunikimi i shkruar (mesazhe), zëra të regjistruar apo DM në Snapchat dhe Instagram, që ofron një marrëdhënie krejtësisht tjetër me kohën, emocionet dhe vetëkontrollin.
Të marrësh telefonin do të thotë të jesh i disponueshëm këtu e tani, pa rrjet sigurie dhe pa vonesë. Për shumë adoleshentë, kjo menjëhershmëri perceptohet si stresuese, një humbje kontrolli. Nuk ke kohë të mendosh për atë që do të thuash. Mund të belbëzosh, të thuash shumë ose pak, të shprehesh keq ose të kapesh në befasi.
Komunikimi i shkruar, përkundrazi, lejon më shumë kontroll, ofron mundësi si draftimi, fshirja dhe rishkrimi, vonesa, dhe zbutja e situatave. Është më e lehtë të komunikosh efektivisht kur fillimisht mund të qëndrosh i heshtur.
Dëshira për kontroll mbi kohën, fjalët dhe emocionet nuk është një tekë adoleshentesh. Ajo reflekton një mënyrë më të gjerë të navigimit të marrëdhënieve shoqërore përmes ekraneve, ku çdo individ i jep vetes të drejtën të zgjedhë kur, si dhe sa intensivisht të lidhet. Në këtë kontekst, telefonat bëhen një ndërfaqe fleksibël që lidh dhe mbron. Ai ofron lidhje me rrugëdalje të mundshme.
“Kur shoh ‘Dad mobile’ që shfaqet në ekranin tim, e lë të bjerë. Nuk kam energji për t’iu përgjigjur një vargu pyetjesh. Më mirë i shkruaj pasi të mbyllë thirrjen,” thotë Mehdi, 16 vjeç.
E drejta për të mbetur i heshtur
Mos përgjigjja nuk konsiderohet më e pasjellshme, por është bërë një zgjedhje, një mënyrë e qëllimshme për të vendosur kufijnë në një botë të hiperlidhur, ku të gjithë pritet të jenë të arritshëm në çdo kohë, dhe përmes të gjitha kanaleve.
“Ndonjëherë e lë telefonin në silent me qëllim. Kështu kam pak qetësi,” thotë Elsa, 17 vjeçe.
Kjo strategji flet për një dëshirë për të rimarrë kontrollin e kohës dhe vëmendjes së vet. Aty ku gjeneratat e mëparshme e shihnin telefonin si premtim lidhjeje dhe afërsie, adoleshentët e sotëm e përjetojnë shpesh si burim presioni.
Siç shpjegon Luca, 16 vjeç: “Shokët e mi e dinë se nuk i përgjigjem menjëherë. Ata dërgojnë një Snap më parë, si ‘je gati për një telefonatë?’ Nëse jo, harroje.” Ky ritual nxjerr në pah një ndryshim qëndrimi. Të telefonosh dikë papritur mund të duket si shkelje e etikës digjitale. Përkundrazi, të presësh momentin e duhur dhe të kontrollosh më parë nëse është koha e përshtatshme, konsiderohet si shenjë respekti.
Mirësjellja, koha për një përditësim?
“Telefonata me zë konsiderohet e pasjellshme tani?” pyet një baba. Për shumë të rritur, mungesa e një përgjigjeje zanore shihet si fyerje dhe shkelje e rregullave bazë të komunikimit. Nga këndvështrimi i një adoleshenti, megjithatë, mos përgjigjja nuk do të thotë refuzim: thjesht nxjerr në pah shfaqjen e kodeve të reja të sjelljes.
Këto kode rishkruajnë konturet e asaj që mund të quhet “mirësjellje digjitale”. Aty ku një telefonatë dikur shihej si gjest kujdesi, tani mund të perceptohet si ndërhyrje.
Nuk është se adoleshentëve u mungon empatia. Ata thjesht e shprehin ndryshe, në mënyra më të holla, asinkrone. Me bashkëmoshatarët, ndajnë rituale të pashkruara, si të shkruarit përpara telefonimit, dërgimi i emoji-ve për të shprehur gjendjen ose disponueshmërinë, dhe rregullat e nënkuptuara për kohën e përshtatshme për të folur.
Rishpikja e lidhjeve
Në vend që kjo heshtje në telefon të shihet si krizë komunikimi, ndoshta duhet parë si një mundësi për të riinventuar mënyrën se si flasim me njëri-tjetrin. Tensionet mund të zbuten, dhe mund të ndërtohet një formë më e qetë komunikimi me adoleshentët, nëse të rriturit pranojnë se rregullat kanë ndryshuar dhe se kjo nuk është ndonjë dramë.
Preferencat
Disa të rinj preferojnë mesazhet për informacion praktik, mesazhet zanore për ndarjen e emocioneve (për të thënë, p.sh., që po mendon për ta) dhe një telefonatë vetëm në situata emergjente. T’i thuash këto hapur dhe të bien dakord për to është tashmë një mënyrë e lidhjes dhe ndërtimit të besimit. Para se të telefonosh, ndoshta është më mirë të dërgosh një mesazh të shkurtër për të pyetur nëse personi është i lirë për të folur, duke kaluar nga logjika e komandës dhe kontrollit tek ajo e disponueshmërisë së ndarë. Po aq e rëndësishme është të mësohet të pranohet heshtja. Të mos përgjigjurit menjëherë (ose fare) nuk është domosdoshmërisht shenjë refuzimi apo mospërfilljeje. Ndonjëherë është thjesht një mënyrë për të marrë frymë, për t’u përqendruar, dhe për të mbrojtur hapësirën mendore. Është një formë respekti për veten.
Së fundi, ia vlen të reflektojmë edhe mbi zakonet tona: po sikur ne, si të rritur, të eksploronim mënyra të reja për të treguar kujdes, mënyra që nuk përfshijnë domosdoshmërisht një telefonatë? Një emoji, një foto, ose një mesazh i shkurtër apo i vonuar mund të jenë po aq kuptimplotë. Vëmendja nuk ka pse të vijë gjithmonë në formën e një zile telefoni.
Kapërcimi i hendekut mes gjeneratave nuk do të thotë të kthehemi tek telefonat fiks, por të mësojmë të kuptojmë kodet, dëshirat dhe rutinat e njëri-tjetrit. Në fund të fundit, ajo që të rinjtë na kërkojnë nuk është të komunikojmë më pak, por të komunikojmë më mirë. /The Conversation/ Përkthyer nga VOXAL/
