Të paktën 50 të vdekur nga zjarri në një market në Irak
Të paktën 50 persona kanë humbur jetën nga një zjarr që shpërtheu në një hipermarket në qytetin Kut, në Irakun lindor, raporton Al Jazeera.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një ndërtesë pesëkatëshe duke u përfshirë nga flakët gjatë natës, ndërsa zjarrfikësit përpiqeshin ta vinin nën kontroll.
Guvernatori i provincës Wasit, Mohamed al-Majahi, deklaroi se zjarri shpërtheu në një hipermarket dhe një restorant, në një kohë kur shumë familje po darkonin dhe bënin blerje.
Sipas tij, zjarrfikësit arritën të shpëtojnë një numër të madh njerëzish dhe e shuan zjarrin pas një operacioni të gjatë.
Autoritetet kanë shpallur tri ditë zie dhe kanë nisur një hetim për shkaqet e zjarrit. “Kemi ngritur padi ndaj pronarit të ndërtesës dhe të qendrës tregtare,” tha al-Majahi.