Takimi Trump – Putin, Zelensky i ashpër: Ukrainasit nuk do t’ia japin tokën pushtuesve
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shprehur kundër samitit në mes të presidentit të ShBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Ai ka paralajmëruar të shtunën se çfarëdo marrëveshje për paqe pa Ukrainën nuk do të jetë e vlefshme.
Në një deklaratë të postuar në “Telegram”, presidenti ukrainas ka vlerësuar se integriteti territorial i Ukrainës nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve.
“Janë vendime të vdekura; nuk do të funksionojnë kurrë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, paqja e qëndrueshme duhet ta përfshijë edhe zërin e Ukrainës në tryezë e bisedimeve.
“Ukrainasit nuk do t’ia japin tokën e tyre pushtuesve”, është shprehur Zelensky.
Këto qëndrime të presidentit ukrainas vijnë para takimit Trump – Putin, ku është paralajmëruar se në ketë takim mund të flitet edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të dy vendeve për të ndalur luftën.
Një gjë të tillë e ka përmendur edhe vetë presidenti amerikan.
Gjatë ditës së djeshme, Trump ka thënë se do të ketë shkëmbim territoresh mes Ukrainës dhe Rusisë për të ndalur luftën 3-vjeçare.