Takimi Gashi- Von der Leyen, Gashi:Plani për rritje premton zhvillim më të mirë ekonomik dhe social në rrugën drejt BE-së
Për Maqedoninë e Veriut, si vend kandidat, Bashkimi Evropian nuk është vetëm një bllok politik dhe ekonomik, por përfaqëson edhe një angazhim ndaj vlerave të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe solidariteti. Kështu ka theksuar kryeparlamentari Afrim Gashi, gjatë takimit me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.
“Duke i uruar mirëseardhje në Kuvend në emër të deputetëve, Kryetari Gashi theksoi se e kupton këtë vizitë si mbështetje dhe afirmim të vendosmërisë së fortë të vendit për të mbetur në rrugën evropiane” thuhet në njoftimin e kabinetit të Gashit.
Gashi, u takua me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila po viziton vendin në kuadër të turneut të saj tre-ditor në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në takim mori pjesë edhe Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Boban Stojanoski.
“Ai theksoi se edhe kur vendi përballej me sfidat më të mëdha, qytetarët nuk u lëkundën në angazhimin e tyre për anëtarësim në BE. Ai theksoi se slogani i BE-së “të bashkuar në diversitet” e përshkruan më së miri Maqedoninë e Veriut dhe shprehu mirënjohje për Planin e rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili premton një përmirësim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve të rajonit dhe integrimin e tyre më të madh në BE” -thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeparlamentarit.