Takim mes Siljanovskës dhe Begajt: Mbështetje nga Shqipëria për RMV-në në integrimin evropian
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, u takua sot në Durrës me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Samitit të “Procesit Brdo-Brijuni”.
Gjatë bisedës, Siljanovska-Davkova përgëzoi Shqipërinë për përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe hapjen e klasterit të pestë nga gjithsej gjashtë. Të dy presidentët ndanë qëndrime mbi ecurinë e negociatave të Tiranës me BE-në dhe menaxhimin e këtij procesi.
Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e disa vendeve anëtare të Unionit për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së, duke theksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike.
Në takim u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së partneritetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, me theks në zgjerimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme.
Siljanovska-Davkova dhe Begaj u pajtuan se bashkëpunimi mes dy vendeve është kyç për përparimin e të gjithë rajonit drejt Bashkimit Evropian.