Situata e sigurisë stabile: Maqedonia rrit kapacitetet ushtarake me 17 “Stryker” të rinj
17 automjete të reja të blinduara “Stryker”, të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur në Maqedoninë e Veriut. Në periudhën e ardhshme pritet të vijnë edhe mjetet e tjera, çka do t’i rrisë dukshëm kapacitetet e Ushtrisë së Maqedonisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se pajisjet e reja e rrisin operativitetin dhe lëvizshmërinë e ushtrisë.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për ne – përmirëson operativitetin, rrit mobilitetin dhe na bën më konkurrues krahasuar me ushtritë e tjera. Qeveria do të vazhdojë të investojë në pajisje moderne brenda mundësive buxhetore. Kriteret që duhet të plotësohen deri në vitin 2032, ne tashmë po i tejkalojmë”, deklaroi Mickoski.
Situata e sigurisë në vend është e qëndrueshme dhe nën kontroll të plotë
Duke folur për gjendjen e sigurisë në vend, Mickoski e vlerësoi atë si stabile, pavarësisht zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
“Situata e sigurisë është e qëndrueshme, pa luhatje, dhe e kemi plotësisht nën kontroll. Sfida ka gjithmonë, por jemi të gatshëm të reagojmë nëse është e nevojshme”, shtoi ai.
Prezantimi i automjeteve u mbajt në kazermën “Strasho Pindxhur” në Petrovec të Shkupit. Në ngjarje ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, i cili theksoi se bëhet fjalë për një nga projektet më të rëndësishme në fushën e mbrojtjes.