
Siljanovska-Davkova nënshkroi Marrëveshjen e OKB-së për Mbrojtjen e Ujërave dhe Sigurimin e Zhvillimit të tyre të Qëndrueshëm
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të konferencës së tretë të Kombeve të Bashkuara për Oqeanin, e cila po mbahet në Nicë, nënshkroi Marrëveshjen sipas Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit për Ruajtjen dhe Përdorimin e Qëndrueshëm të Diversitetit Biologjik Detar të Zonave Përtej Juridiksionit Kombëtar (Marrëveshja BBNJ).
Qëllimi i Marrëveshjes është që, përmes forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar, të ndalet humbja e biodiversitetit dhe degradimi i ekosistemeve.
Duke theksuar se, megjithëse jemi një shtet kontinental, kemi bërë një hap të jashtëzakonshëm duke iu bashkuar kësaj Marrëveshjeje, si shumë shtete të tjera, Siljanovska-Davkova tha – sepse kur flasim për ujërat, mendojmë për ujërat nga përroi, nga burimi, deri në oqean dhe prandaj është e rëndësishme që sa më shumë shtete ta nënshkruajnë Marrëveshjen.
Ajo theksoi se Marrëveshja na imponon edhe detyrime serioze që duhet t’i marrim seriozisht, sepse si shtet jemi të detyruar të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e biodiversitetit ujor dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të ujërave.
Duke vlerësuar se gjendja me oqeanet dhe me ujërat në përgjithësi nuk është aspak e mirë, presidentja theksoi se gjërat duhet të ndryshojnë në interes të mbrojtjes së tyre, sepse dobi nga kjo kanë të gjitha shtetet e botës, pavarësisht nëse janë në det apo jo – kjo do të thotë se edhe shteti ynë do të ketë vetëm dobi nga mbrojtja e ujërave.
Në kuadër të Konferencës që po mbahet në Nicë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pati edhe një takim të shkurtër me presidentin francez Emmanuel Macron.