Shtohet numri i qytetarëve të RMV të vdekur nga ngjarje të dhunshme
Numri i vdekjeve nga shkaqe të dhunshme në Maqedoninë e Veriut është rritur me 24 përqind gjatë vitit 2024, krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, 511 persona humbën jetën si pasojë e dhunës – një shifër që përfaqëson 2.5 për qind të vdekjeve të përgjithshme në vend.
Shumica dërrmuese e viktimave janë burra (68.1%), ndërsa gratë përbëjnë 31.9 për qind të rasteve. Aksidentet vijojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve të dhunshme, me 78.5 për qind të rasteve. Pas tyre renditen vetëvrasjet me 17.4 për qind dhe vrasjet me 4.1 për qind.
Në mesin e aksidenteve, 38 për qind e viktimave kanë humbur jetën nga lëndime të jashtme të papërcaktuara saktësisht. Tek vetëvrasjet, metoda më e zakonshme ka qenë varja, mbytja ose ngulfatja, që përbënin 8.8 për qind të të gjitha rasteve.