Shteti duhet t’i paguajë Ziadin Selës rreth 127 mijë euro dëmshpërblim për “27 prillin”
Gjykata e Apelit në Shkup ka sjellë aktgjykim të formës së prerë, me të cilin pjesërisht e ka pranuar ankesën e Ziadin Selës dhe e ka rritur shumën e dëmshpërblimit që Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’ia paguajë për dëmin jomaterial të pësuar nga sulmi në Kuvend më 27 prill 2017.
Sipas aktgjykimit, shteti obligohet t’i paguajë Selës gjithsej 7.800.000 denarë (rreth 127.000 euro) për shkeljen e të drejtave personale dhe dëmtimin e shëndetit fizik e psikik. Gjykata e Apelit vlerësoi se dëmshpërblimi i caktuar fillimisht nga Gjykata Civile ishte i pamjaftueshëm, edhe pse arsyetimi i saj mbetet pothuajse identik.
Në arsyetim thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk e ka vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme seriozitetin e dëmit dhe nuk i ka marrë parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë në përcaktimin e një kompensimi të drejtë.
Sipas vendimit të Apelit, dëmshpërblimi ndahet si më poshtë:
- 1.500.000 denarë (rreth 24.400 euro) për dhimbjet fizike;
- 900.000 denarë (rreth 14.600 euro) për frikën e përjetuar;
- 3.000.000 denarë (rreth 48.800 euro) për dhimbjet shpirtërore si pasojë e zvogëlimit të aftësisë së përgjithshme jetësore;
- 600.000 denarë (rreth 9.800 euro) për dhimbjet shpirtërore nga shpërfytyrimi;
- 600.000 denarë (rreth 9.800 euro) për cenimin e dinjitetit personal;
- 600.000 denarë (rreth 9.800 euro) për cenimin e nderit;
- 600.000 denarë (rreth 9.800 euro) për cenimin e reputacionit.
Gjykata e Apelit e hodhi poshtë si të pabazuar ankesën e Avokaturës së Shtetit, e cila kishte kërkuar shfuqizimin e aktgjykimit dhe rigjykimin e lëndës.
Në padinë e tij, Ziadin Sela kishte kërkuar gjithsej 61 milionë denarë (rreth 992.000 euro) si kompensim për dëmin e pësuar nga ngjarjet e 27 prillit 2017./VOXAL/