
Shtëpia e Bardhë: Trump ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin mes Kosovës dhe Serbisë
Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka deklaruar gjatë një konference për media se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që nga rikthimi në Zyrën Ovale, ka ndalur mesatarisht nga një konflikt për çdo muaj të qëndrimit të tij në detyrë gjatë këtij mandati të dytë presidencial.
Duke numëruar konfliktet ku presidenti amerikan ka ndërhyrë me qëllim ndalimin ose zbutjen e tensioneve, Leavitt ka përmendur edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilat Trump ka folur shpesh në muajt e fundit, transmeton lajmi.net
“Presidenti tani i ka dhënë fund konflikteve midis Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, Serbisë dhe Kosovës, dhe Egjiptit në Etiopi. Kjo do të thotë që Presidenti Trump ka ndërmjetësuar mesatarisht rreth një marrëveshje paqeje ose armëpushim në muaj gjatë gjashtë muajve të tij në detyrë”, ka deklaruar Leavitt.
Në disa paraqitje publike, presidenti Donald Trump ka folur edhe për një rrezik të mundshëm të një sulmi nga Serbia ndaj Kosovës, për të cilin ai pretendon se ka ndërhyrë personalisht për ta ndaluar.
Ai kishte pohuar se kishte kërcënuar Serbinë me ndalje të tregtisë me Shtetet e Bashkuara nëse do të merrte një hap të tillë, duke theksuar se kërcënimi ishte i mjaftueshëm për të parandaluar eskalimin e situatës./lajmi.net/