Shqipëria feston hapjen e të gjitha kapitujve të BE-së
Me një tortë, Shqipëria në Bruksel festoi hapjen e klasterit të fundit negociues me Bashkimin Europian. Në Konferencën e Shtatë Ndërqeveritare u hap zyrtarisht Klasteri 5, i cili përfshin burimet, bujqësinë dhe kohezionin. Me këtë, Shqipëria për më pak se një vit e gjysmë arriti t’i hapë të gjashtë klasterët negociues, gjë që u vlerësua si progres me “shpejtësi rekord”.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, tha se kjo është një ditë e veçantë jo vetëm për Tiranën, por edhe për Brukselin, sepse dëshmon se procesi i zgjerimit jep rezultate.
“Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e fortë politik të Shqipërisë dhe pa angazhimin e vendeve anëtare të BE-së për të mbështetur përparimin e saj. Suksesi i Shqipërisë është rezultat i punës së autoriteteve me shoqërinë civile… dhe është rezultat i kërkesave të qytetarëve shqiptarë që kërkuan ndryshim. Prandaj, Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të procesit të zgjerimit”, tha Marta Kos – Komisionere e BE-së për zgjerimin.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se vendi ka arritur atë që deri vonë dukej e pamundur.
“Kush do ta mendonte se sot do të ishim këtu, duke hapur të gjithë klasterët. Dikur kjo dukej e pamundur dhe ne ishim mësuar me refuzime. Na godisnin drejtpërdrejt në stomak. Por besoj se i gjithë ky udhëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për madhështinë e këtij procesi dhe më të pjekur. Ja ku jemi sot — përballë diçkaje që më shumë se një vit më parë ishte vetëm një ëndërr”, shtoi Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë.
Ambiciet e Tiranës tani janë që t’i finalizojë negociatat deri në fund të vitit 2027. Më pas do të vijojë procesi i ratifikimit të marrëveshjes së anëtarësimit nga vendet anëtare, pas së cilës Shqipëria shpreson të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Europian në vitin 2030.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014, 9 vite pas Maqedonisë së Veriut, e cila këtë vit shënon plot 25 vite në pritje për anëtarësim në Bashkimin Europian.