Shqipëria e miratoi vënien në funksion të sistemit “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut
Pas Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, edhe Qeveria e Shqipërisë dje e miratoi vënien në funksion të sistemit të përbashkët për kontrolle kufitare “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Sipas vendimit, marrëveshja synon krijimin e pikave të përbashkëta kufitare mes dy vendeve dhe zhvillimin e procedurave të koordinuara të kontrollit kufitar, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së udhëtarëve dhe mallrave, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut katër ditë më parë njoftoi se ka miratuar vënien në funksion të sistemit të përbashkët të kontrolleve kufitare “One Stop Shop” me Shqipërinë, duke përmbyllur kështu procesin e vendosjes së këtij sistemi me tri vendet fqinje që nuk janë pjesë e zonës Shengen, duke pasur parasysh se ai tashmë funksionon me Serbinë dhe Kosovën.
Zbatimi i sistemit “One Stop Shop” fillimisht do të nisë në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërsa më pas do të zgjerohet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë.
Për finalizimin e plotë të procesit mbetet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet dy ministrive të punëve të brendshme.
Nevoja për një zgjidhje të tillë konfirmohet edhe nga frekuenca e lartë e udhëtarëve në pikat kufitare me Republikën e Shqipërisë.
Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar gjithsej 4.581.724 udhëtarë, prej të cilëve 2.318.080 vetëm në pikën kufitare Qafë Thanë.
“Sistemi “One Stop” së në prill 2025 u zbatua me Kosovën në kalimin kufitar Bllacë – Hani i Elezit, pastaj edhe me Republikën e Serbisë.