
Shkollat e RMV-së mund të bëhen shtëpi për të moshuar?!
Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut po punon në ridestinimin e shkollave fillore që janë mbyllur ose janë para mbylljes për shkak se nuk ka fëmijë. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska ka shpjeguar në një intervistë për “Evropa e Lirë” planin për mbyllje edhe të shumë shkollave që kanë pak nxënës, që mund të kalojnë në shkolla deri tre kilometra larg.
“Nuk mund t’ju them një numër të saktë, sepse nuk është e thjeshtë. Nëse një shkollë periferike është 30 kilometra larg nga ajo qendrore, nuk do të mbyllet, edhe nëse ka vetëm një nxënës. Ai nxënës ka të drejtë në arsim. Por nëse është 2.5 apo 3 kilometra larg dhe aty mësojnë vetëm 15 nxënës, ata do të transferohen në shkollën qendrore. Ky është një proces serioz. Deri tani janë optimizuar 20 komuna, dhe aktualisht po punohet edhe më tej,” shpjegoi ministrja Janevska.
Ajo u rekomandoi kryetarëve të komunave që kanë shkolla të zbrazura të shqyrtojnë mundësinë për përdorim të ri të ndërtesave që mund të jenë edhe shtëpi për të moshuar.
“Jo, do të thotë se tashmë janë optimizuar. Një numër i caktuar shkollash janë mbyllur. Mos më merrni fjalë për fjalë, por mendoj se rreth njëqind shkolla periferike janë tashmë të mbyllura. Disa janë mbyllur edhe para se të fillojmë procesin, sepse aty nuk ka më fëmijë. Ndërtesat thjesht rrinë bosh. U rekomandoj kryetarëve të komunave të gjejnë përdorim të ri për ato objekte. Nga ne nuk do të kenë asnjë problem. Nuk janë të përshtatshme as për çerdhe, sepse nuk ka fëmijë – por mund të shfrytëzohen për diçka tjetër… ndoshta shtëpi për të moshuar, ndoshta ndonjë klub ose diçka tjetër,” tha ministrja Janevska.
Në dekadën e fundit janë mbyllur në total 42 shkolla, duke përfshirë 14–15 shkolla vetëm brenda vitit të fundit. Shkollat me pak nxënës janë kryesisht në zona rurale të qarqeve, ku klasat e kombinuara përmbajnë ndonjëherë vetëm 4 deri 10 nxënës. Demografët kanë vërejtur se në më shumë se 60% të komunave, lindjet janë negative dhe ka emigracion të popullsisë së re gjë që më tej redukton numrin e nxënësve në shkolla lokale.