Shkaku i Dimal Bashës, Liburn Aliu jep dorëheqje nga posti i ministrit
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dorëzuar dorëheqjen e tij te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në një njoftim publik, Aliu tha se vendimi erdhi pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, mënyra se si u zhvillua ky proces nuk përfaqëson idealin për Republikën, të cilin ai e ka konsideruar si arsye kryesore të angazhimit të tij politik.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria. Nuk është në frymën dhe lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua,” theksoi Aliu.
Dorëheqja e tij hap një zhvillim të ri në skenën politike të Kosovës, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do ta zëvendësojë në këtë detyrë./VOXAL/