
Shefi i SHM Lafçinski për vizitë zyrtare tek Forcat e armatosura të Republikës së Turqisë
Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneralmajori Sashko Lafçiski, i cili ndodhet për vizitë zyrtare tek Forcat e armatosura të Republikës së Turqisë, u takua sot në Ankara me mikpritësin e tij, shefin e Shtatmadhorisë së Forcave të armatosura të Republikës së Turqisë, gjeneral Metin Gjurak dhe ministrin e Mbrojtjes, Jaşar Gyler.
Siç njofton Armata e Maqedonisë së Veriut, vizita, e cila po kryhet me ftesë të shefit të Shtatmadhorisë së Përgjithshme të Forcave të armatosura turke, gjeneral Metin Gjurak, synon të promovojë bashkëpunimin midis dy vendeve aleate dhe mike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Në takimin zyrtar midis gjeneralmajorit Lafçiski dhe gjeneralit Gjurak, u diskutua bashkëpunimi aktual ushtarak dypalësh, mundësitë për stërvitje dhe ushtrime të përbashkëta ushtarake në të ardhmen me njësi të Forcave të Armatosura të Turqisë, me qëllim thellimin e ndërveprimit operativ, shkëmbimin e përvojave dhe taktikave, si dhe përgatitjen për pjesëmarrje në operacione shumëkombëshe”, thuhet në komunikatë
Gjatë takimit me ministrin Gyler, u shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Turqisë, e cila, siç u tha, si partnere strategjike jep një kontribut të rëndësishëm në procesin e pajisjes dhe modernizimit të Armatës.
Gjenerali Lafçiski falënderoi gjithashtu për ndihmën altruiste nga Republika e Turqisë, e cila menjëherë ofroi kapacitetet e saj të specializuara për njerëzit që kishin nevojë urgjente për trajtim mjekësor me cilësi të lartë pas zjarrit që ndodhi në Koçan.
Si pjesë e vizitës, gjenerali Lafçiski vendosi një kurorë me lule në mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut – themeluesit të Turqisë moderne.