
SHBA, makina hyn në turmë, mbi 30 të plagosur
Mbi 30 persona u plagosën pasi një makinë u fut brenda një turme njerëzish në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një lokali muzikor mëngjesin e së shtunës në Santa Monika bulevard në pjesen lindore të Hollivudit.
Menjëherë u dha ndihma e parë dhjetëra të plagosurve nga ky aksident i rëndë.
“Shtatë persona janë në gjendje kritike nga ky aksident, të tjerët janë të plagosur rëndë apo me dëmtime të lehta. Kemi konstatuar se një prej të plagosurve është lënduar nga armet e zjarrit”, shprehen nga Departamenti i Zjarrfikësve.
Policia ka nisur hetimet teksa nuk ka dhënë ende ndonjë version zyrtar për këtë ngjarje të rëndë, duke shtuar se nuk mund të thuhet ende nëse ishte i qëllimshëm. Dyshohet se shoferi gjatë drejtimit të mjetit ka humbur kontrollin çka shkaktoi këtë aksident.