
Serbia arreston një tjetër person nga Kosova, ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës: Një tjetër dëshmi e praktikave destruktive
Autoritetet serbe kanë arrestuar edhe një tjetër shtetas kosovar, njoftoi të martën Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD). Në një njoftim në Facebook, MPJD tha se Behar Preniqi u ndalua të hënën në pikën kufitare Batrovi, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë. Nuk është e qartë se për çfarë akuzash u ndalua Preniqi, dhe Ministria tha se u ka dërguar kërkesë zyrtare autoriteteve serbe për të sqaruar arsyet e ndalimit të tij.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të arrestimeve arbitrare dhe të paprovokuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë”, thuhet në njoftim.
Ministria tha se arrestimi i Preniqit përbën “një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Ajo tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kontaktuar familjen e Preniqit dhe se është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast. Ministria tha se për arrestimin e tij i ka njoftuar edhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi si dhe misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it.
“I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të reagojë zëshëm dhe me vendosmëri ndaj praktikave represive të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.
Ministria e përsëriti thirrjen për shtetasit e Kosovës që ta shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë. Arrestimi i Preniqit është më i fundit në një varg arrestimesh të shtetasve kosovarë gjatë udhëtimit transit nëpër Serbi në vitetet e fundit. Tensionet mes dy vendeve janë rritur pasi edhe Kosova ka arrestuar shtetas të Serbisë, përfshirë zyrtarin Igor Popoviç. Ndaj Popoviç, ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, autoritetet kosovare ngritën aktakuzë të martën për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.