Serbi–Shqipëri, masa të forta sigurie në Leskovac për duelin e rëndësishëm
Shqipëria do të luajë sot në mbrëmje në orën 20:45 eë Leskovac duelin shumë të rëndësishëm kundër Serbisë në kuader të fushatës eleminatore për Botërorin e 2026.
Nuk është një ndeshje e zakonshme ajo kundër serbëve, për historinë e dueleve në të kaluarën dhe atë mes dy popujve, por edhe për objektivin, ose më saktë ëndrrën botërore.
Vëmendje e veçantë i është dhënë më së shumti sigurisë dhe atmosferës para dhe gjatë ndeshjes. Dueli luhet në një stadium të vogël, ku maksimumi do të jenë 6,500 tifozë, duke qenë se 20% e stadiumit është mbyllur nga vendimi i FIFA-s pas incidenteve me Anglinë në shtator.
Pikërisht për shkak të frikës nga masa edhe më të rënda nga UEFA dhe FIFA në rast të incidenteve të tjera, deri në përjashtim nga kualifikueset, organizatorët vendas kanë marrë masa shumë të forta sigurie. Leskovci si qytet, por sidomos stadiumi, është blinduar.
Delegacioni shqiptar, ekipi, të ftuarit e Federatës Shqiptare dhe gazetarët shqiptarë lëvizin gjithë kohën të monitoruar nga forcat serbe të sigurisë. Edhe FIFA ka dërguar dy oficerë sigurie shtesë për të monitoruar gjithçka ndodh në stadium sonte. Kjo është hera e parë që Shqipëria kthehet në Serbi që pas 14 tetorit 2014, kur tifozët serbë në Beograd dhunuan lojtarët tanë dhe ndeshja u ndërpre në fund të pjesës së parë, për të mos rinisur më.
Sa i takon aspektit sportiv, kush fiton sonte është thuajse i sigurt për vendin e dytë, që të çon në play-offet e synimit për të kapur Botërorin. Shqipëria është e dyta, me një pikë më shumë sesa Serbia, por kjo e fundit ka një ndeshje më pak. Trajneri Silvinjo dhe kuqezinjtë dëshirojnë ta fitojnë ndeshjen, dhe formacioni ka gjasa të jetë pak më sulmues se herët e tjera. Porta dhe mbrojtja nuk kanë dilema, me Strakoshën, Hysajn, Gjimshitin, Ajetin dhe Mitajn.
Në mesfushë, Asllani është më i sigurt, ndërsa Shehu dhe Qazim Laçi kanë gjasa të jenë titullarët e tjerë, teksa Ramadani duket i sakrifikuari në këtë rast. Në krahun e djathtë të sulmit, Broja konfirmohet, ndërsa në të majtë surpriza mund të jetë Uzuni, më në avantazh në raport me Bajramin dhe Hoxhën. Në majë të sulmit, Daku ka gjasa të jetë nga minuta e parë, përpara Manajt.
Ndeshja në Leskovc do të gjykohet nga gjyqtari më i mirë i momentit në Europë, rumuni Istvan Kovaç, çka tregon rëndësinë që ka për UEFA-n dhe FIFA-n kjo ndeshje, nga e cila do të varet edhe fati i Shqipërisë në këto eliminatore. Në duelin e parë në Tiranë, që u mbyll 0-0, kuqezinjtë luajtën mirë dhe humbën një penallti me Rei Manajn.