Sëmundja e lisë te delet, RMV kërkon vaksina nga Turqia dhe KE
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar zyrtarisht vaksina kundër sëmundjes së lisë te delet nga Turqia dhe Komisioni Evropian, pas rritjes së numrit të deleve të ngordhura nga kjo sëmundje.
Nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se është dorëzuar informacion për mundësinë e donacionit të vaksinave te Komisioni Evropian dhe Republika e Turqisë. Ndërkohë, ekipi i ekspertëve vazhdimisht po zhvillon takime dhe po miraton masat për përballimin e situatës.
Gjithashtu, autoritetet kanë kërkuar sërish ndihmë nga ekipi EUVET i Komisionit Evropian për menaxhimin dhe kontrollin e sëmundjes.
Nga AUV bëjnë të ditur se pas marrjes së përgjigjes lidhur me vaksinimin, do të kryhen testet për sigurinë dhe pastërtinë e vaksinës. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave do të nisë vaksinimi.
“Për momentin zbatohet strategjia ‘stamping out’”, bëjnë të ditur nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë, duke iu referuar masave që përfshijnë eliminimin e kafshëve të prekura për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Autoritetet paralajmërojnë se vaksinimi i kafshëve me shpenzime të vetë fermerëve, pa një leje zyrtare nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, do të sanksionohet.
Në këto raste, pronarët nuk do të kenë të drejtë kompensimi për kafshët e sëmura apo për kafshët e asgjësuara. Të njëjtat masa do të vlejnë edhe për shoqëritë veterinare që kryejnë vaksinime të paligjshme ose nuk zbatojnë aktivitetet e përcaktuara me karakter publik.
Autoritetet u kanë bërë thirrje blegtorëve që të raportojnë çdo rast të dyshimtë në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari dhe të bashkëpunojnë me veterinerët zyrtarë dhe shoqëritë veterinare gjatë procesit të eliminimit të kafshëve.
Ndërkohë, AUV ka mohuar pretendimet e bëra në një video të publikuar një ditë më parë nga Naser Xhemailli, kryetar i Shoqatës së Rritësve të Deleve “Bariu Modern”, lidhur me mënyrën e trajtimit të deleve të larguara në fshatin Sokolarc.
Sipas AUV-së, vendi i paraqitur në video është zona ku, në përputhje me masat e biosigurisë për largimin dhe asgjësimin e sigurt të kafshëve, janë varrosur delet dhe dhitë e eutanizuara.
“Delet dhe dhitë janë mbuluar me një shtresë të madhe dheu, ndërsa vendi është dezinfektuar dhe shënuar në mënyrë adekuate si zonë ku ekziston rrezik nga sëmundje infektive”, thuhet në njoftim.
Nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë pretendojnë gjithashtu se kafshët e gjetura kanë ardhur nga ferma ku sëmundja është e pranishme dhe se disa fermerë po kryejnë vaksinime të paligjshme me vaksina të pakontrolluara, të siguruara ilegalisht nga Turqia.
Autoritetet theksojnë se përgjegjësia për largimin e kafshëve të ngordhura është në kompetencë të vetëqeverisjes lokale, e cila duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për trajtimin e tyre.
Sipas AUV-së, gjatë transportimit të kafshëve nga fermat deri te vendi i varrimit janë respektuar të gjitha masat e biosigurisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Autoritetet paralajmërojnë se veprimet e paautorizuara nga individë mund të kontribuojnë në përhapjen e mëtejshme të sëmundjes edhe në zona ku deri tani nuk është konfirmuar prania e saj./VOXAL/