
Së shpejti vauçerë për studentë për kompjuter, ja cilat janë kushtet për aplikim, por duhet miratuar ligji
Studentët që nuk janë më të vjetër se 29 vjeç dhe janë të regjistruar për vitin akademik 2025/2026 në ndonjë fakultet shtetëror apo privat kanë të drejtë të marrin një voucher me vlerë prej 15.300 denarë për blerjen e një laptopi ose kompjuteri, përcjell INA.
Planifikohet të shpërndahen 55 mijë vouchera, ndërsa shteti do të shpenzojë gjithsej 850 milionë denarë (afërsisht 14 milionë euro).
Nga këto mjete, 215 milionë denarë janë të parashikuara në Buxhetin e vitit 2025, ndërsa 635 milionë denarë do të sigurohen nga Buxheti për vitin 2026 – thuhet në propozim-ligjin që është dorëzuar në Kuvend.
Si të aplikohet?
Aplikimi për vauçer do të bëhet përmes Portalit Kombëtar për Shërbime Elektronike, i cili menaxhohet nga Ministria për Transformim Digjital. Studentët aplikojnë përmes profilit të tyre personal në Portal, me nivel bazë të sigurisë, sipas Rregullores për identifikimin e përdoruesve në mënyrë elektronike.
Nëse studenti nuk ka profil në Portal, duhet të paraqitet fizikisht në ndonjërin nga Qendrat për Shërbime “Një pikë për shërbime”, të drejtuara nga Ministria për Transformim Digjital, për të konfirmuar identitetin. Brenda 3 ditëve, pas verifikimit, krijohet profili i përdoruesit në emër të studentit. Pas krijimit të profilit, studenti mund të dorëzojë kërkesën për voucher.
Verifikimi i të dhënave
Pas aplikimit, të dhënat e studentit do të kontrollohen përmes:
Regjistrit Qendror të Popullsisë (nga Ministria për Transformim Digjital), dhe
Regjistrit të studentëve (nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës),
Kjo për të konfirmuar saktësinë e të dhënave personale dhe për të verifikuar nëse plotësohen kushtet ligjore.
Vauçeri është i pandashëm, përdoret vetëm një herë, dhe vetëm nga personi që e ka marrë.
Pagesa e operatorëve
Pagesa për vauçerët e përdorur ndaj shitësve do të bëhet në dy faza buxhetore:
3.825 denarë (një e katërta e shumës totale) paguhet në vitin 2025
pjesa e mbetur deri më 30 qershor 2026
Qëllimi i kësaj mase, siç thuhet nga propozuesit e ligjit – deputetë të koalicionit qeverisës – është që çdo student të ketë qasje të barabartë në teknologji, si parakusht për arsim cilësor dhe të drejtë.
“Kjo është pjesë e një vizioni më të gjerë për barazi digjitale, zhvillim teknologjik dhe modernizim të arsimit të lartë. Çdo student duhet të ketë mundësi të barabartë për të marrë pjesë, për të përparuar dhe për të pasur sukses”, thuhet në ligj. (INA)