
“S’dimë çfarë po shohim” – VOXAL sjell reagimet tronditëse nga Kalaja e Shkupit
Të kalosh nëpër qytetin e Shkupit dhe të mos e shohësh Kalanë është e pamundur. Çdo turist apo vizitor që vjen në kryeqytet, mes tjerash, viziton edhe këtë monument gjigant, i cili pasqyron realitete të ndryshme historike. Por, që në hyrjen e vetme të hapur të kalasë përballesh me një rrëmujë, e cila nuk lë përshtypje të mirë te turistët e huaj.
Brendësia e kalasë të jep një ndjesi parahistorike, pasi sheh mure dhe kështjella të ndërtuara me gurë, por ajo që bie në sy është mirëmbajtja e hapësirave dhe shtigjeve që çojnë nëpër gjithë kalanë.
Ekipi i VOXAL vizitoi kalanë dhe realizoi biseda me turistë që ishin të pranishëm. Ata ankohen për mungesë të informacioneve të nevojshme historike për kalanë; sipas tyre, edhe ato informacione të vendosura janë pozicionuar larg dhe vështirë lexohen.
“Po, ndoshta më shumë renovime dhe më shumë tabela me informacione, kështu që mirë do të ishte të ketë më shumë informacion në tabela”, tha një turist turk që jeton në Holandë.
“Mendoj se do të ishte mirë të kishte disa informacione historike. Tani unë jam këtu, por nuk e di sa është e vjetër, prej nga është, çfarë po bëjnë tani me të, kështu që mendoj se do të ishte mirë të kishte disa vende për shpjegim shtesë. Unë pashë që aty te porta kishte të shpjeguara disa gjëra, kishte udhëzime, por megjithatë duhet të jetë ndoshta më e pastër. Gjithçka që duhet të shihni duhet të jetë afër dhe në disa gjuhë”, tha një turist.
“Hyrja është pa pagesë, askush nuk na kërkoi para, ndërsa në Turqi nuk është kështu”, u shpreh një turist turk për VOXAL.
“Është interesante dhe mendoj se mund ta ndihmojë historinë e qytetit kjo fortesë e madh. Jemi befasuar pak për shkak se hyrja ishte pak e rrëmujshme, por kur hyn brenda është mirë kur shikon të gjithë qytetin. Mendoj se autoritetet duhet të vendosin më shumë informacione për histori dhe guida për ta njohur më mirë”, deklaroi një turiste.
Përskaj turistëve nga vendet evropiane, takuam dhe biseduam edhe me një vizitor që vinte nga Tirana. Ai bëri komparacione mes kalasë së Shkupit dhe asaj të Tiranës. Sipas tij, në Tiranë, kalaja është e pozicionuar në një nivel më të ulët në qytet dhe mirëmbajtja është më e lartë.
“Për sa i përket prezantimit, mendoj se ka nevojë për përmirësime. Gjithsesi, është një pikë kryesore turistike për çdo grup që vjen. Në Tiranë korrespondon kalaja e Tiranës, megjithëse është ndërtuar në pjesën fushore të Tiranës, jo me pamje mbi qytet, sepse janë ndërtuar në kohëra të ndryshme. Kjo është shumë më e lartë si kala, ndërsa në Tiranë është nga periudha romake, kur ka qenë koha e paqes dhe kalatë janë ndërtuar gjithmonë në shesh. Gjithsesi, gjendjen e shoh të njëjtë si këtu. Ka një restaurim të kalave në Shqipëri edhe në aspektin turistik; informacionet janë të ngjashme. Vala e restaurimit në Shqipëri është e viteve të fundit dhe mund të themi që është më e mirëmbajtur, por në përgjithësi është i njëjti nivel”, tha një turist nga Tirana.
Pas viteve në harresë, a po ringjallet Kalaja e Shkupit?
Javën e kaluar u ndërmor një iniciativë për pastrimin dhe meremetimin e hapësirave të kalasë së Shkupit. Ky aksion u koordinua nga Ministria e Kulturës, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe disa kryetarë komunash.
Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, u shpreh se ky simbol historik, gjatë dhjetë viteve të fundit, është shkatërruar dhe lënë pas dore. Sipas tij, qëllimi është që deri më 2028, kur Shkupi do të jetë “Kryeqyteti Evropian i Kulturës”, Kalaja të restaurohet plotësisht.
Drejtoresha Vesela Çestoeva paralajmëroi se deri në fund të vitit do të restaurohen dy muzetë ekzistues në kala, ndërsa i ashtuquajturi “Kishë-Muze” mbetet subjekt diskutimi për shkak të ndërprerjes së ndërtimit pas incidenteve të vitit 2011. Kjo temë ka ngjallur reagime edhe nga partitë politike shqiptare.
Reagimet politike nuk munguan, veçanërisht nga radhët e BDI-së, e cila pretendoi se po planifikohej ndërtim objektesh fetare brenda kalasë. Në këtë kontekst, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, i cili ka mohuar kategorikisht këto akuza. Sipas tij, Kalaja është lënë në harresë për vite me radhë dhe tani po pastrohet e hapet për qytetarët si hapësirë publike dhe trashëgimi kulturore. “Nuk do të lejojmë më që Kalaja të përdoret për ndarje apo për qëllime politike”, shkroi Mexhiti në rrjetet sociale.
Nexhmedin Shaqiri