Saveski kryeprokuror, sot pritet të votojë Kuvendi
Kuvendi sot pritet të mbajë seancën e 94-të, ku në rend dite është propozimi që Nenad Saveski të zgjidhet kryeprokuror, përcjell TV21.
Saveski, i cili aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale-Shkup, u nominua nga Qeveria më 10 mars. Për t’u zgjedhur në këtë funksion, i nevojiten të paktën 61 vota deputetësh. Kandidatura e tij vjen pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit Ljupço Kocevski dhe pas procedurës në të cilën morën pjesë pesë kandidatë.
Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar dhe është magjistër i shkencave juridike në drejtimin e së drejtës penale. Studimet dhe magjistraturën i ka përfunduar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë USHKM në Shkup. Provimin e jurisprudencës e ka dhënë në vitin 2003. Nga viti 2016 është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion.
Më parë, nga viti 2009 deri në 2016 ka punuar si prokuror publik, ndërsa nga 2004 deri në 2009 si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore në Gostivar. Në të njëjtën gjykatë, nga viti 2000 deri në 2002 ka qenë praktikant gjyqësor.
Nga angazhimet ndërkombëtare dhe ekspertize, në biografinë e tij theksohet se ka qenë ekspert në OSBE Maqedoni, në Konventën Kombëtare për BE – Kapitulli 23, si dhe në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID-it.
Ai është anëtar i grupeve punuese për reforma gjyqësore dhe ligjore, dhe ka punuar në projekte për masa të veçanta hetimore, paraburgim dhe procedurë penale.
Në aspektin akademik, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, tutor dhe trajner në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajner për të drejtat e njeriut dhe të drejtën penale.
Ai është autor dhe bashkëautor i punimeve për masa të veçanta hetimore, lirinë e shprehjes, shpifje dhe fyerje, konfiskimin e pasurisë, të drejtën e privatësisë, si dhe i disa publikimeve profesionale.
Flet maqedonisht, anglisht, gjermanisht, serbisht dhe ka njohuri bazë të gjuhës shqipe.
Në rend dite të seancës së sotme është edhe propozimi për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor që zgjidhet nga Kuvendi. Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime ka propozuar dy kandidatë: Sejfulla Osmani, doktor i shkencave juridike nga Gradeci (Vrapçishtë), dhe Arber Isaku, jurist i diplomuar nga Tetova.
Deputetët pritet gjithashtu të shqyrtojnë nevojën për ndryshime në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, si dhe ndryshime në ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe përzgjedhjen e partnerit strategjik për realizimin e projekteve infrastrukturore të Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, me procedurë të shkurtuar.
Në seancën plenare mund të diskutohet edhe propozimi që Aco Ristov të zgjidhet kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë, pas dorëheqjes së kryetarit aktual Marko Bislimoski. Ristov është inxhinier i diplomuar elektrik me përvojë të gjatë në sektorët e energjetikës, hidroenergjetikës, furnizimit me ujë, trajtimit të ujërave, minierave dhe sistemeve infrastrukturore.