“Safe City” para Gjykatës Kushtetuese – sot vendoset për fatin e sistemit të kamerave
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë sot nëse Ligji që mundëson zbatimin e sistemit të monitorimit “Safe City” është në përputhje me Kushtetutën.
Çështja vjen pas tre iniciativave të dorëzuara në këtë institucion: nga Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari, nga krahu i Aleancës për Shqiptarët i Ziadin Selës dhe nga një student i Fakultetit Juridik.
Gjyqtarja kushtetuese Ana Pavllovska Daneva ka bërë të ditur se të tria iniciativat janë bashkuar në një lëndë të vetme, e cila është vendosur në rend dite për shqyrtim në seancën e sotme.
Për herë të parë, opinioni do të mund ta ndjekë drejtpërdrejt debatin dhe vendimmarrjen e gjyqtarëve kushtetues. Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi që seancat të jenë të hapura për publikun, me qëllim rritjen e transparencës së institucionit.
Sistemi “Safe City”, i cili parasheh vendosjen e kamerave dhe monitorimin e trafikut dhe hapësirave publike, ka nxitur debat të madh në opinion, sidomos për shkak të shqetësimeve lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë e qytetarëve.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të përcaktojë nëse ky projekt do të vazhdojë të zbatohet apo do të përballet me pengesa ligjore.