“Safe City” godet edhe shoferët e huaj: Tabanoci mbushet me kolona për pagesën e gjobave
Zbatimi i sistemit “Safe City” edhe për automjetet me targa të huaja ka shkaktuar radhë të gjata në pikën kufitare “Tabanoc”, ku udhëtarë nga Serbia dhe vende të tjera po presin për të paguar gjobat e regjistruara për shkelje të rregullave të komunikacionit në Maqedoninë e Veriut.
Pas nisjes së zbatimit të sistemit për shtetasit e huaj, në rrjetet sociale u shfaqën reagime të shumta, veçanërisht nga qytetarë serbë që gjatë kthimit nga Maqedonia e Veriut janë përballur me gjoba të regjistruara nga kamerat e sistemit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, më herët deklaroi se sistemi “Safe City” do të vlejë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, pavarësisht nëse automjeti ka targa maqedonase apo të huaja.
Ai theksoi se nuk do të ketë përjashtime dhe se çdo person që shkel rregullat e komunikacionit në rrugët ku janë vendosur kamerat do të sanksionohet.
Gjatë vendosjes së sistemit ishte bërë e ditur se automjetet me targa të huaja nuk do të ndalohen gjatë daljes nga vendi për shkak të një kundërvajtjeje të regjistruar. Megjithatë, drejtuesit e tyre do të marrin njoftim zyrtar për gjobën, ndërsa gjobat e papaguara mund të ndikojnë në hyrjen e tyre të ardhshme në Maqedoninë e Veriut.