“Safe City” drejt zgjatjes së fazës provuese: mundësi tolerimi 10%, zgjerim zonash dhe zero përjashtime për shkelësit
Po rriten gjasat që faza provuese e “Safe City” të zgjatet edhe një muaj. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski konfirmon se shqiptimi i gjobave mund të mos nisë më 1 janar, por të shtyhet deri më 1 shkurt, për t’i dhënë qytetarëve më shumë kohë për adaptim.
Paralelisht, po shqyrtohet edhe vendosja e një kufiri tolerancë deri në 10% nga shpejtësia e lejuar – një praktikë që aplikohet në disa vende evropiane – megjithëse vendimi final pritet në ditët në vijim.
Aktualisht, sistemi “Safe City” funksionon në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ndërsa është paraparë të mbulojë edhe korridoret 8 dhe 10, të cilat për momentin janë jashtë funksionit për shkak të problemeve teknike, që pritet të zgjidhen brenda dy javësh.
Sistemi regjistron në kohë reale një sërë shkeljesh, përfshirë:
– tejkalimin e shpejtësisë,
– kalimin në të kuqe,
– makinat e paregjistruara,
– dhe mospërputhjet në dokumentacion.
Rezultatet e 24 orëve të para janë alarmante: 110 mijë shkelje vetëm në Shkup, nga të cilat 90% lidhen me tejkalimin e shpejtësisë.
Në sistem përfshihen të gjithë drejtuesit e mjeteve, përfshirë edhe makinat me targa të huaja, të cilat nuk mund të detyrohen të paguajnë menjëherë, por paralajmërohen se nuk do të lejohen të rikthehen në Maqedoni pa shlyer gjobën.
Përjashtim bëjnë vetëm automjetet me drita rotative – ambulancat, makinat operative të MPB-së dhe delegacionet zyrtare – të cilat funksionojnë sipas protokolleve të tjera dhe nuk gjobiten nga kamerat.
Ministri Toshkovski siguron se asnjë funksionar nuk do të ketë trajtim të veçantë, dhe se sistemi do të zgjerohet në të gjithë territorin e vendit, paralelisht me rivendosjen dhe rishikimin e sinjalizimit rrugor në pikat ku janë vendosur kamerat.