Rutte nga Shkupi: NATO nuk do të lejojë vakum sigurie në Ballkanin Perëndimor
Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe nuk do të lejojë krijimin e asnjë vakumi sigurie në rajon.
“Duhet të punojmë së bashku për sigurinë e përbashkët. Maqedonia e Veriut luan rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, që është rajon me rëndësi strategjike për aleatët e NATO-s. Përkushtimi ynë është i palëkundur. Nuk do të lejojmë të krijohet vakum sigurie,” u shpreh Rutte.
Ai theksoi se NATO mbetet e vendosur për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të vendeve anëtare nga çdo kërcënim, duke rikujtuar se Aleanca garanton sigurinë kolektive sipas parimit të mbrojtjes së përbashkët.
Rutte nënvizoi gjithashtu rolin e NATO-s në Kosovë përmes misionit të KFOR, duke theksuar se prania e Aleancës në rajon është faktor stabiliteti.
Sa i përket zhvillimeve globale, ai deklaroi se NATO nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në konfliktet aktuale, por paralajmëroi për rrezikun që paraqet regjimi iranian.
“Irani, si eksportues kaosi, prej dekadash është përgjegjës për sulme terroriste dhe tentime vrasjesh. Dobësimi i kapaciteteve të tij bërthamore dhe raketore është i rëndësishëm për sigurinë ndërkombëtare. Flas për regjimin, jo për popullin iranian,” tha Rutte.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, e cilësoi praninë e Rutte-s si mesazh të qartë për mbështetjen e Aleancës.
“Prezenca e tij këtu është shenjë e qartë se NATO është me ne. NATO do t’i mbrojë të gjitha shtetet e saj në rast se sulmohen. Siguria është përgjegjësi e përbashkët,” deklaroi ajo.
Siljanovska shtoi se garancia më e madhe për stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe për parandalimin e ndikimeve të palëve të treta mbetet integrimi urgjent i rajonit në Bashkimin Evropian.VOXAL

