Rrugë plot vetura, por gjithnjë e më të vjetra
Në dhjetë vitet e fundit, mbi 80 për qind e automjeteve të importuara kanë qenë të përdorura, ndërsa mosha mesatare ka arritur në 19.4 vjet
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave, gjatë dhjetë viteve të fundit mbi 80 për qind e automjeteve të importuara në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të përdorura.
Paralelisht me këtë trend, numri i automjeteve të regjistruara në vend është dyfishuar – nga rreth 350 mijë në vitin 2012 në gati 700 mijë në vitin 2024. Megjithatë, pavarësisht rritjes së flotës së automjeteve, mosha mesatare e tyre ka arritur në 19.4 vjet, çka tregon se në rrugë qarkullojnë gjithnjë e më shumë automjete të vjetra.
Shkupi mbetet qendra kryesore e automjeteve në vend. Çdo automjet i tretë është i regjistruar në kryeqytet, ku ndodhen mbi 33 për qind e makinave dhe rreth 38 për qind e automjeteve për transport mallrash. Sa i përket karburantit, automjetet me naftë dominojnë me 63 për qind, ndërsa ato me benzinë kanë rënë në 26 për qind.
Në të njëjtën kohë, automjetet elektrike dhe hibride po shënojnë rritje të shpejtë – vetëm gjatë vitit të kaluar, numri i automjeteve elektrike u rrit me 169 për qind, ndërsa i atyre hibride me 295 për qind.
Gjatë një viti janë importuar gjithsej 62.069 automjete, prej të cilave 53.867 janë automjete pasagjerësh. Mesatarisht, për çdo automjet të ri të importuar janë futur 3.5 automjete të përdorura. Në 11 muajt e parë të vitit, në vend kanë hyrë 12.025 automjete të reja dhe 41.842 automjete të përdorura.
Ndryshe nga automjetet pasagjerësh, te automjetet për transport mallrash këtë vit kanë dominuar importet e automjeteve të reja, 4.408 të reja krahasuar me 3.502 të përdorura. Ndërkohë, importi i autobusëve dhe minibusëve të rinj mbetet minimal: vetëm 13 njësi të reja, kundrejt 278 të përdorura.
Që nga viti 2009, në Maqedoninë e Veriut janë importuar gjithsej 631.574 automjete pasagjerësh. Nga ky numër, mbi 81 për qind ose 515.856 automjete kanë qenë të përdorura, ndërsa vetëm 115.718 kanë qenë të reja.
Viti i kaluar shënoi një moment të veçantë, pasi për herë të parë importi i automjeteve të reja tejkaloi nivelin e vitit 2009. Atëherë ishin importuar 10.574 automjete të reja dhe 2.944 të përdorura.
Në vitin 2024, në vend ishin të regjistruara gjithsej 684.417 automjete, prej të cilave 580.210 janë automjete pasagjerësh. Rreth dy të tretat e tyre funksionojnë me naftë, 25 për qind me benzinë, ndërsa vetëm rreth 1 për qind janë hibride ose elektrike. Konkretisht, në vitin 2024 janë regjistruar 365.947 automjete me naftë, 150.439 me benzinë, 5.078 hibride dhe 1.507 elektrike.
Automjetet me naftë kanë shënuar rritje mesatare vjetore mbi 12 për qind gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa automjetet me benzinë kanë rënë mesatarisht me 2.32 për qind në vit. Ndërkohë, automjetet elektrike dhe hibride kanë rritje shumë të lartë në përqindje.
Vetëm nga viti 2023 në 2024, numri i automjeteve elektrike u rrit nga 561 në 1507, ndërsa automjetet hibride nga 1.287 në 5,078. Në një periudhë më të gjatë kohore, ndryshimi është edhe më i dukshëm. Që nga viti 2014, automjetet me benzinë kanë rënë nga 215.175 (58 për qind) në 150.439 ose rreth 26 për qind në vitin 2024. Në të kundërt, automjetet me naftë janë rritur ndjeshëm – nga 145.065 (39 për qind) në 365.947 ose 63 për qind të totalit./kohamk