Rritet numri i të prekurve nga gripi, por nuk do të ketë shtyerje të mësimit në shkolla
Nga data 5 deri më 11 janar janë regjistruar 2.322 raste të gripit, që paraqet një rritje prej 34,6 për qind krahasuar me javën paraprake, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Në nivel kombëtar është evidentuar aktivitet mesatar i virusit të gripit.
Sipas drejtorit të Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive pranë ISHP-së, dr. Dragan Koçinski, rritja e numrit të të sëmurëve është e pritshme për këtë periudhë të vitit dhe pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim. Kulmi i gripit pritet nga fundi i këtij muaji deri në mesin e shkurtit, ndërsa këtë sezon rritja ka filluar disa javë më herët se zakonisht.
Megjithë rritjen e rasteve dhe të personave të shtruar në spital, aktualisht nuk ka nevojë për masa shtesë, siç është zgjatja e pushimit dimëror për nxënësit. Kapacitetet spitalore nuk janë të mbushura plotësisht dhe Komisioni për Sëmundje Infektive pritet të dalë me rekomandime përkatëse. ISHP rekomandon mbajtjen e maskave gjatë vizitave në spitale.
Numri më i madh i të prekurve është te grupmosha 15–64 vjeç, ndërsa incidenca më e lartë regjistrohet te fëmijët deri në 14 vjeç. Raste gripi janë regjistruar në 25 nga 31 rajone të vendit, me më së shumti raste në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Ohër. Në disa qendra rajonale është shënuar aktivitet i lartë dhe shumë i lartë i gripit.
Gjatë javës së dytë është raportuar edhe një rast vdekjeje i lidhur me gripin, te një grua 75-vjeçare nga Shkupi, e pavaksinuar dhe me sëmundje shoqëruese, me prani të konfirmuar laboratorikisht të influencës A.
Nga fillimi i sezonit, prej tetorit deri më 11 janar, janë regjistruar gjithsej 6.147 raste të gripit, që është 2,6 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar. Virusi dominues është influenca AH3.
ISHP u bën thirrje qytetarëve të shmangin ambientet e mbyllura dhe të mbipopulluara, të ajrosin hapësirat, të qëndrojnë në shtëpi në rast të simptomave dhe të vaksinohen kundër gripit, si masë më efektive parandaluese.