RMV me Avokat të ri të Popullit, Ziberi pensionohet edhe 4 ditë!
Koalicioni qeveritar në Maqedoninë e Veriut pritet që në ditët në vijim të shpallë konkurs publik për përzgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, për shkak të pensionimit të afërt të Naser Ziberit, aktualisht në këtë funksion. Lajmi bëhet i ditur nga televizioni Telma.
Koordinatorët e grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it tashmë i kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, për shpalljen e konkursit, meqë më 12 korrik Ziberi mbush 64 vjeç – moshën kur, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, përfundon mandati për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim.
Në seancën e nesërme të Kuvendit, pritet që kjo pikë të përfshihet në rendin e ditës dhe të miratohet shpallja e konkursit. Konkursi do të jetë i hapur për dhjetë ditë, ndërsa më pas Kuvendi do të procedojë me përzgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.
Megjithatë, për shkak të vonesës në shpalljen e konkursit, pritet që për rreth gjysmë muaji institucioni të mbetet pa udhëheqës, duke krijuar një zbrazëti në funksionimin e tij.
Naser Ziberi u zgjodh në postin e Avokatit të Popullit më 25 maj 2021 me 61 vota “për”, përfshirë edhe 26 vota nga deputetë të komuniteteve joshumicë. Ai është noter me profesion dhe më herët ishte kandidat për kryeministër nga BDI në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut 2020, kur u prezantua si propozim i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, për një kryeministër shqiptar.