Rezoluta e LSDM: Ndryshimet kushtetuese deri në shkurt 2026, jo kërkesa të reja
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, paraqiti sot propozim-rezolutën e re për integrimin evropian. Dokumenti vendos afate të qarta për ndryshimet kushtetuese, të cilat mbeten pengesa e fundit në rrugën drejt BE-së.
Sipas rezolutës:
• Deri më 25 nëntor 2025, Qeveria duhet të vendosë nëse mbetet teksti aktual i amendamenteve për përfshirjen e komunitetit bullgar dhe të tjerëve në Kushtetutë ose sjell version të ri.
• Teksti i ri, nëse ka, duhet të dorëzohet në Kuvend deri më 1 dhjetor 2025.
• Procedura parlamentare për ndryshime kushtetuese duhet të nisë më së voni më 15 dhjetor 2025, me votimin e parë.
• Votimi final duhet të mbahet deri më 10 shkurt 2026, bashkë me ligjin kushtetues për zbatimin e tyre.
Pas këtij procesi, Qeveria do t’i njoftojë shtetet anëtare të BE-së dhe Komisionin Evropian se obligimet janë përmbushur dhe do të kërkojë mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare, ku duhet të hapet klasteri i parë – “Vlerat themelore”. Afati i fundit i paraparë është 15 shkurt 2026.
Në rezolutë vihet theks i fortë mbi vijat e kuqe: gjuha, identiteti, historia dhe veçoritë kulturore të popullit maqedonas, për të cilat – siç thuhet – nuk negociohet me BE-në. Po ashtu, Qeveria nuk do të pranojë ndryshime në statusin e gjuhës maqedonase në Kornizën negociuese. Me anëtarësimin e plotë, gjuha maqedonase do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së, pa fusnota apo sqarime shtesë.