Revizioni në “Pellagonia”: Bukë e faturuar si kilogram, qindra dyshekë të papërdorur dhe shpenzime për makina private
Raporti i fundit i Entit Shtetëror të Revizionit zbulon një sërë parregullsish serioze në punën e Konviktit Shtetëror të Studentëve “Pellagonia” në Shkup, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si janë menaxhuar paratë publike dhe pasuria e institucionit.
Nga bukë e faturuar sikur çdo copë të peshonte një kilogram, te qindra dyshekë të blerë por që nuk janë përdorur asnjëherë, revizorët kanë evidentuar dobësi në prokurimet publike, mungesë kontrollesh të brendshme, pagesa pa dokumentacion të mjaftueshëm dhe shpenzime që, sipas tyre, nuk janë bërë në mënyrë ekonomike. Për këto arsye, Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë opinion negativ për pasqyrat financiare të vitit 2024 dhe për respektimin e rregullave ligjore në funksionimin e konviktit.
Pajisje me vlerë qindra mijëra eurosh nuk figurojnë në evidencë
Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me pasurinë e konviktit. Sipas revizionit, në evidencat materiale dhe kontabël mungojnë pajisje me vlerë prej 21.5 milionë denarësh, ose rreth 350 mijë euro. Revizorët konstatojnë se një pjesë e pajisjeve të kuzhinës, të blera dhe të paguara nga Ministria e Arsimit, nuk mund të verifikohen nëse janë pranuar ndonjëherë nga konvikti.
Po ashtu, institucioni nuk ka evidentuar një kërkesë financiare prej 1.1 milion denarësh të fituar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe nuk ka ndërmarrë hapa për ta arkëtuar atë shumë.
Tenderë me një ofertues dhe çmime më të larta se tregu
Revizorët kanë analizuar disa procedura të prokurimit publik për mish, produkte mishi, peshk dhe produkte bujqësore dhe kanë konstatuar se në shumicën e rasteve në tenderë është paraqitur vetëm një ofertues. Kontratat janë lidhur sipas vlerës së planifikuar, pa përcaktuar paraprakisht sasitë konkrete të produkteve që do të bliheshin.
Sipas raportit, produktet që bliheshin rregullisht ishin ofertuar me çmime më të larta se ato në treg, ndërsa për produktet që bliheshin rrallë ishin paraqitur çmime jashtëzakonisht të ulëta. Megjithatë, konvikti nuk ka kërkuar sqarime shtesë nga operatorët ekonomikë.
Në disa raste janë tejkaluar edhe vlerat e kontratave të nënshkruara, çka sipas revizorëve tregon mungesë kontrolli dhe përdorim joekonomik të mjeteve publike.
Bukë e faturuar si kilogram, nga operator që nuk merret me shitjen e bukës
Një nga zbulimet më të pazakonta të raportit lidhet me furnizimin me bukë dhe miell.
Revizorët konstatuan se kontrata ishte lidhur me një operator ekonomik aktiviteti kryesor i të cilit nuk kishte lidhje me llojin e furnizimit, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm për garancinë bankare nuk ishte paraqitur.
Por problemi më i madh u zbulua gjatë realizimit të kontratës. Edhe pse çmimi i dakorduar ishte 57.46 denarë për kilogram, operatori ekonomik faturonte një copë bukë sikur të ishte një kilogram i plotë. Kjo praktikë kaloi pa u vërejtur për një periudhë të gjatë dhe u zbulua vetëm në fund të vitit 2024.
Vetëm pasi u vendos evidencë ditore për bukën e pranuar, faturat mujore nisën të bien ndjeshëm. Megjithatë, sipas revizionit, as kontrata e re nuk solli kursime. Në vitin 2025 çmimi i bukës arriti në 126 denarë për kilogram, ndërsa çmimi në treg ishte rreth 70 denarë për kilogram.
Qindra dyshekë të blerë, por të lënë në magazinë
Një tjetër rast që ka tërhequr vëmendjen e revizorëve është furnizimi me dyshekë.
Në vitin 2023 janë blerë 250 dyshekë me vlerë mbi 1.1 milion denarë, por ato nuk kishin dimensionet e kërkuara në dokumentacionin teknik. Për më tepër, mungon dokumentacioni i plotë për pranimin e tyre dhe ato nuk janë vënë fare në përdorim. Dyshekët vazhdojnë të qëndrojnë të magazinuar në objekt.
Revizorët zbuluan gjithashtu se më herët ishin blerë edhe 450 dyshekë të tjerë nga i njëjti furnizues, megjithëse dyshekët ekzistues ishin në gjendje të mirë. Për shkak të përmasave më të mëdha se shtretërit, dyshekët e rinj kanë krijuar probleme me stabilitetin e tyre.
U paguan servisime edhe për pajisje jashtë funksionit
Probleme janë konstatuar edhe te kontratat për servisimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve.
Sipas revizionit, në disa procedura janë vendosur kushte që kufizonin konkurrencën mes kompanive. Në një rast është kontraktuar servisimi i një makine për larjen e enëve që nuk ishte fare në përdorim, por kontrata është realizuar plotësisht dhe pagesat janë kryer.
Në total janë evidentuar shpenzime prej mbi 1.2 milion denarësh për mirëmbajtje dhe servisime, ndërsa për një pjesë të tyre mungojnë dëshmi të mjaftueshme se shërbimet janë kryer realisht. Në disa raste mungojnë urdhrat e punës, ndërsa në të tjera nuk ka prova se shërbimet janë kërkuar nga vetë institucioni.
Edhe pas këtyre shpenzimeve, disa pajisje, përfshirë komorat frigoriferike, vazhdojnë të mos jenë funksionale.
Paratë e buxhetit për një veturë private
Raporti evidenton edhe pagesa për karburant, servisim dhe pjesë rezervë për një automjet privat që ishte lejuar të përdorej për nevoja zyrtare.
Sipas revizorëve, këto shpenzime nuk janë mbështetur me dokumentacion të besueshëm, çka ngre dyshime se mjete buxhetore janë përdorur për qëllime private.
Dy drejtorë në listën e pagave për gjashtë muaj
Parregullsi janë evidentuar edhe në menaxhimin e institucionit.
Revizorët konstatuan se për një periudhë prej gjashtë muajsh janë paguar paga për dy persona në funksionin e drejtorit. Kjo situatë, sipas raportit, ka ardhur si rezultat i mosmarrjes së një vendimi juridikisht të qëndrueshëm nga Ministria e Arsimit lidhur me shkarkimin dhe emërimin e drejtuesit të institucionit.
Gjithashtu janë konstatuar probleme në sistemin e pagave dhe mospërputhje të akteve të brendshme me legjislacionin në fuqi.
Revizorët paralajmërojnë edhe për të ardhmen e konviktit
Përveç parregullsive konkrete, raporti ngre shqetësime edhe për qëndrueshmërinë financiare të Konviktit “Pellagonia” dhe të konvikteve shtetërore në përgjithësi.
Sipas revizorëve, Ministria e Arsimit dhe konviktet duhet të analizojnë koston reale të akomodimit dhe ushqimit të studentëve, pasi modeli aktual financiar mund të çojë në krijimin e borxheve dhe vështirësi të mëtejshme financiare.
Në përfundim, Enti Shtetëror i Revizionit vlerëson se në “Pellagonia” mungon një sistem funksional i kontrollit të brendshëm, veçanërisht në prokurimet publike, menaxhimin financiar dhe pagesat. Pikërisht kjo mungesë kontrolli, sipas raportit, ka krijuar hapësirë për shpenzime të pajustifikuara, përdorim joefikas të mjeteve publike dhe vendime që kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e institucionit./VOXAL/