Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në disa vende në Tetovë, qytetarët të shmangin nënkalimet
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë Maqedoninë Perëndimore gjatë orëve të fundit, veçanërisht rajonin e Pollogut dhe Komunën e Tetovës, kanë shkaktuar probleme serioze me përthithjen e kanalizimeve atmosferike dhe fekale në pjesët urbane të qytetit.
Si rezultat, në disa nënkalime dhe zona pranë mbikalimeve janë krijuar sipërfaqe të mëdha uji, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër rrugë, si dhe shmangien e këtyre pjesëve të infrastrukturës rrugore derisa situata të stabilizohet.
Nga Komuna e Tetovës informojnë se ekipet kompetente janë aktualisht në terren dhe po punojnë për tejkalimin e gjendjes, pastrimin e grykave të kanalizimeve dhe normalizimin e qarkullimit.
Situata po monitorohet në vazhdimësi./VOXAL/