
Rënie e vazhdueshme e nxënësve të klasës së parë në lindje të Maqedonisë
Komunat e lindjes së Maqedonisë së Veriut edhe këtë vit po përballen me rënie të numrit të nxënësve të klasës së parë. Emigrimi i familjeve jashtë shtetit dhe shpërngulja e të rinjve drejt Shkupit po e zbrazin bankat shkollore.
Në Shtip, këtë shtator në klasë të parë pritet të ulen 363 nxënës, ose 35 më pak se vitin e kaluar, që është e barabartë me një paralele më pak në pesë shkollat fillore të qytetit.
“Numri është më i ulët se një vit më parë, megjithatë jo aq shqetësues siç ishte trendi në vitet e kaluara. Aktualisht kemi 363 fëmijë të regjistruar, ndërsa vitin e kaluar në këtë periudhë kishim 398, që do të thotë 35 më pak,” – tha Snezhana Saneva, udhëheqëse sektori në Komunën e Shtipit në një deklaratë për televizionin Tellma, përcjell PressOnline.al.
Regjistrimet janë ende në proces dhe në shtator pritet të shtohen edhe fëmijët që aktualisht gjenden me prindërit në punë sezonale brenda dhe jashtë vendit.
Sipas ndryshimeve ligjore, tashmë zbatohet sistemi i ndarjes sipas zonës së banimit. Prindërit nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në shkolla jashtë lagjes ku jetojnë, megjithatë, sipas Sanevës, ende ka raste sporadike të manipulimeve me adresat.
“Gjendja është përmirësuar, prindërit kryesisht i regjistrojnë fëmijët në shkollat e zonës ku i takojnë. Por ende shfaqen raste kur adresat ndërrohen vetëm për të regjistruar fëmijën në shkollën që ata dëshirojnë,” – shtoi ajo.
Të dhënat krahasuese tregojnë një rënie të madhe: para 15–20 vitesh në Shtip regjistroheshin rreth 1.000 nxënës të klasës së parë, ndërsa sot ky numër është përgjysmuar, duke zbritur në vetëm rreth 400. (PressOnline.al)
