Regjistrimi i të porsalindurve dhe caktimi i kurorëzimeve do të bëhet online
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka bërë të ditur se në të ardhmen e afërt do të hapen terminale të posaçme ku qytetarët do të mund të kryejnë shërbime bazë administrative. Paralelisht, ai njoftoi edhe për përgatitjen e një ligji që do të garantojë qasje për personat me aftësi të kufizuara në ueb-faqet dhe aplikacionet mobile të institucioneve shtetërore.
Sipas Andonovskit, vetëm brenda një viti janë ofruar 120 shërbime të reja digjitale, çka ka ndikuar në uljen e ndjeshme të turmave në sportele.
“Volumi i transaksioneve mujore është rritur nga 1.000 në 6.000. Kjo tregon qartë se qytetarët po përqafojnë shërbimet elektronike shumë më tepër se në të kaluarën. Në zyrat e Drejtorisë së Librave Amë, për shembull, fluksi i qytetarëve është ndjeshëm më i vogël krahasuar me vitin e kaluar,” tha ai.
Ministri paralajmëroi se synimi është që të gjitha shërbimet të zhvendosen online përmes portalit kombëtar uslugi.gov.mk, përfshirë shërbime si regjistrimi i të porsalindurve, organizimi i dasmave dhe lëshimi i dokumenteve personale.
“Një nga premtimet tona kryesore është digjitalizimi i regjistrimit të të porsalindurve, dhe këtë do ta realizojmë deri në fund të vitit,” theksoi Andonovski.
Në kuadër të kësaj nisme, po përgatitet edhe një aplikacion qeveritar për telefonat mobil, përmes të cilit qytetarët do të kenë qasje në të gjitha shërbimet e ofruara nga shteti.
“Ky aplikacion do të përfshijë edhe versionin elektronik të kartës së identitetit dhe patentës së shoferit. Synimi ynë është që nëpërmjet këtij aplikacioni të përfshijmë shërbimet shëndetësore, administrative dhe të tjera, duke i sjellë ato direkt në telefonin e qytetarëve,” shtoi ministri.