Rama viziton Kosovën për pavarësinë: Pretenca për krerët e UÇK, varrosje për së gjalli
Teksa në Hagë vijon gjyqi për ish-krerët e UÇK-së, kryeministri Edi Rama udhëtoi këtë të hënë drejt Kosovës.
Para takimeve zyrtare, mori pjesë në promovimin e librit të ish-diplomatit Ahmet Shala, ku gjatë fjalës së tij foli për padrejtësinë e madhe që, sipas tij, po përjetojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale.
Gjatë fjalimit, zbuloi se presidentja Vjosa Osmani është kërcënuar për rreth dy vite, për shkak se nuk ka lejuar që prokurorët e Hagës të dhunojnë zyrën e presidentit.
Propozimin e prokurorëve për 190 vite burg, kryeministri Rama e konsideroi një “varrosje për së gjalli” për ish-krerët e UÇK-së.
Edhe presidentja Vjosa Osmani e konsideroi padrejtësi gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë, duke nënvizuar sakrificën e brezave që udhëhoqën luftën çlirimtare.
I pranishëm në këtë organizim ishte edhe kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Libri i kushtohet gjykimit në Hagë për krime lufte kundër ish-krerëve të UÇK-së dhe padrejtësive që ata kanë përjetuar gjatë procesit pesëvjeçar.
Tv Klan