Radev: Presim që Maqedonia e Veriut të përfshijë bullgarët në Kushtetutë
Bullgaria nuk do të tërhiqet nga mbrojtja e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, tha sot presidenti bullgar Rumen Radev, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kroaci, transmeton Portalb.mk.
“Republika e Maqedonisë së Veriut po ngadalëson vetë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, sepse nuk dëshiron të përmbushë kriteret e anëtarësimit. Bullgaria nuk do të tërhiqet nga mbrojtja e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në fqinjin tonë jugperëndimor. Ne ende po presim që Republika e Maqedonisë të përmbushë një kusht të shkruar qartë, i cili do të hapte derën për fillimin e negociatave. Dhe kjo është garantimi i barazisë së bullgarëve në këtë vend, përmes përfshirjes së tyre në Kushtetutë, së bashku me popujt e tjerë që formojnë një shtet” theksoi Radev, raportojnë mediat bullgare.
Presidenti bullgar Radev siguroi se Bullgaria nuk po vendos kushte të reja për Maqedoninë e Veriut përtej atyre për të cilat është rënë dakord tashmë.
“Ne këmbëngulim që gjithçka për të cilën është rënë dakord të respektohet”, tha ai.
Retorika midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është ashpërsuar pasi që ministri i Jashtëm bullgar Georgi Georgiev në një paraqitjeje televizive në televizionin bullgar BTV theksoi se duke hequr “gjuhën dhe identitetin maqedonas” nga raporti mbi Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian (PE), ata arritën të parandalonin përdorimin e PE për propagandën politike të brendshme të, siç e quajti ai, kryeministrit “maqedonoverior”.
Për gjuhën e Georgievit ndaj Shkupit zyrtar MPJ e Maqedonisë së Veriut e thirri në konsultim dhe i shprehu protestë zyrtare ambasadorit bullgar në vend.
Diplomacia e Maqedonisë së Veriut pret që Sofja zyrtare të lëshojë një kërkimfalje të përshtatshme në mënyrë që të ruhet komunikimi dypalësh dinjitoz dhe parimor.
Ndryshe, heqja e termave “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga Raporti për progresin e RMV-së ka ashpërsuar edhe më tepër gjuhën politike mes Sofjes dhe Shkupit.
Parlamenti Europian ka miratuar raportin e parë të progresit mbi Maqedoninë e Veriut për vitin 2023 dhe 2024. Në debatin e zhvilluar në PE, eurodeputetët bullgarë akuzuan se politikanët në Shkup po sabotojnë procesin e integrimit evropian.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.