“Qyteti i sigurt” ul aksidentet, MPB paralajmëron aplikacion për raportime
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka shprehur kënaqësi nga rezultatet e periudhës testuese të projektit “Qyteti i sigurt”, duke theksuar se qytetarët në mënyrë të konsiderueshme kanë ulur shpejtësinë e vozitjes, ndërsa numri i aksidenteve në komunikacion është në rënie. Sipas tij, qëllimi i vetëm i këtij projekti është shpëtimi i jetëve të njerëzve.
“Periudha e testimit tregon se Maqedonia ka kapacitet të jetë një vend normal. Jam krenar për qytetarët tanë, të cilët edhe gjatë fazës testuese, kur u prezantua kjo zgjidhje, e kuptuan rëndësinë e saj dhe ngadalësuan shpejtësinë e vozitjes në kryeqytet. Ata dëshmuan se mund t’i bëjnë gjërat ndryshe dhe se janë evropianë të vërtetë. Është ulur numri i aksidenteve rrugore në territorin e Qytetit të Shkupit, veçanërisht lëndimet e rënda dhe rastet me pasoja fatale”, tha Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas hapjes së stacionit të rindërtuar policor në Butel.
Toshkovski njoftoi se do të vendoset tolerancë e caktuar për shkeljet për tejkalimin e shpejtësisë në komunikacion, por nënvizoi se toleranca nuk do të vlejë nëse shoferi ka kryer vepër penale me atë tejkalim shpejtësie, respektivisht nëse ka shkaktuar aksident në komunikacion apo ka lënduar dikë.
Ai theksoi se respektimi i kufizimeve të shpejtësisë është kyç për zvogëlimin e pasojave serioze në trafik, duke iu referuar edhe statistikave globale.
“Sipas statistikave botërore, në aksidentet që ndodhin me shpejtësi 60 kilometra në orë, pothuajse askush nuk mbijeton. Nga 10 persona të lënduar, të gjithë humbin jetën. Në shpejtësi prej 50 kilometrash në orë, vetëm dy nga 10 persona mbijetojnë, ndërsa në shpejtësi prej 30 kilometrash në orë, tetë nga 10 persona mbijetojnë”, deklaroi Toshkovski.
Sa u përket problemeve me të cilat janë përballur shoferët që nga aktivizimi i kamerave të projektit “Qyteti i sigurt” gjatë periudhës testuese, deri më 1 shkurt, ministri njoftoi se ato do të mund të raportohen në një pikë të posaçme ose përmes faqes zyrtare të internetit. Ai paralajmëroi se në kuadër të shërbimeve administrative të MPB-së, të vendosura në hapësirat e RTM-së, do të hapet një pikë për raportimin e të gjitha gabimeve të sistemit me të cilat janë përballur qytetarët.
Përveç raportimit fizik, shoferët së shpejti do të kenë mundësi të raportojnë parregullsitë edhe online, ndërsa ministri paralajmëroi edhe një aplikacion mobil për raportimin e palogjikshmërive të sistemit “Qyteti i sigurt”.
Toshkovski theksoi se po punohet intensivisht për eliminimin e të gjitha parregullsive dhe se nga 1 shkurti, shoferët do të kontribuojnë me vetëdije më të madhe për sigurinë në trafik.
Projekti “Qyteti i sigurt”, sipas autoriteteve, synon të kontribuojë në afat të gjatë në rritjen e sigurisë rrugore dhe në uljen e aksidenteve të trafikut në të gjithë vendin.