QKQ: Qytetarët paguan 73 milionë euro për dokumente personale
Qytetarët kanë paguar 73 milionë euro për dokumente personale gjatë pesë viteve të fundit, bazuar në një tender 21-vjeçar dhe kontrata të klasifikuara si “konfidenciale”, vlerëson Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ).
Këto të dhëna janë pjesë e hulumtimit “Mbikëqyrja Publike e Prokurimit Publik: Studime Rasti”, ku analizohen procedura të tenderimit potencialisht të paligjshme, në të cilat, sipas QKQ-së, kujdesi për paratë publike nuk ka qenë prioritet.
Rastet janë identifikuar përmes analizës së sinjaleve të kuqe të Byrosë së Prokurimit Publik, hulumtimeve të bazuara në informacione publike dhe konsultimeve me qytetarët.
Në raport veçohen tre raste: prokurimi i pasaportave, kartave të identitetit dhe patentë-shoferëve, tenderi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për qiranë e avionëve dhe tenderi i Komunës së Çairit për ndërtimin e një pishine shkolle.