
Qindra shqiptarë nga Maqedonia e Veriut nisen drejt Tiranës për protestën në mbështetje të UÇK-së
Qindra automjete me qytetarë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut janë parë sot në kalimin kufitar të Qafë Thanës, duke u drejtuar drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë.
Kolona të gjata mjetesh janë nisur që nga orët e para të mëngjesit nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Ohri dhe Kërçova, ndërsa në mesin e tyre janë edhe ish-ushtarë të UÇK-së nga Maqedonia e Veriut, veteranë të luftës dhe përfaqësues të shoqatave patriotike.
Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar këtë si një manifestim mbarëkombëtar për mbrojtjen e dinjitetit të UÇK-së dhe kërkesë për drejtësi të paanshme në proceset e Hagës.
Protesta do të mbahet sot në mesditë në Tiranë, para Kuvendit të Shqipërisë, dhe pritet të mbledhë pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare. Sipas organizatorëve, qëllimi është të dërgohet një mesazh i qartë se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare dhe jo kriminale, ndërsa proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të saj po konsiderohen si selektive dhe politike.
Autoritetet shqiptare kanë marrë masa të shtuara sigurie për menaxhimin e turmave, ndërsa pjesëmarrësit thonë se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze./VOXAL/
