Qeveria teknike u hoq, si funksiononte dhe çfarë pritet tani
Kuvendi me 70 vota “pro” këtë pasdite e shfuqizoi qeverinë teknike, e cila parashikonte që 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, ministritë kyçe t’i kalonin opozitës.
Kryeministri tërhiqej nga detyra dhe në vend të tij emërohej një kryeministër teknik, vetëm deri në përfundimin e zgjedhjeve, përfshirë edhe periudhën e zhvillimit të tyre.
Për ndryshimet në Ligjin për Qeverinë, të cilat u miratuan me shumicë të thjeshtë, pati vetëm 11 vota “kundër”.
Ky ndryshim ligjor nuk do të hyjë në fuqi menjëherë, por do të ketë efekt të shtyrë. Megjithatë, opozita mbeti deri në fund kundër. Kjo ishte edhe arsyeja pse LSDM nuk mori pjesë në grupin punues në Ministrinë e Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, i cili është ligj sistemik dhe për të kërkohet jo vetëm konsensus i të gjitha partive, por edhe shumicë prej dy të tretash për miratim.
Nga ana tjetër, pushteti vlerëson se demokracia në Maqedoni është pjekur dhe se ky model i dyfishimit të funksioneve para zgjedhjeve është vetëm shpenzim i parave të qytetarëve.
Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të vlejnë rregullat aktuale, pra sërish do të formohet qeveri teknike 100 ditë para ditës së votimit. Por për zgjedhjet pas tyre, qeveria teknike nuk do të ekzistojë më.
Ky model i qeverisë teknike buron nga Marrëveshja e Përzhinës e vitit 2015.
Në qeverinë teknike, ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Punës dhe Politikës Sociale propozohen nga partia opozitare me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend. Opozita gjithashtu propozon zëvendësministra shtesë në edhe tre ministri.
Ndërkohë ndryshohet edhe kryeministri, por ai emërohet me propozim të pushtetit aktual.