Qeveria propozon Nenad Saveskin për Prokuror të ri Publik të Shtetit
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka propozuar gjyqtarin Nenad Saveski si kandidat për Prokuror të ri Publik të Shtetit. Vendimi u bë i ditur pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa u prezantua në konferencë për media nga zëdhënësja e qeverisë, Maria Miteva.
Sipas Mitevës, përzgjedhja e Saveskit ka ardhur pas një diskutimi konstruktiv në të cilin janë shqyrtuar të gjitha aspektet e kandidatëve, duke përfshirë përvojën profesionale dhe integritetin personal.
Ajo theksoi se qeveria ka vlerësuar se Saveski është kandidati që mund të sjellë një nivel të ri funksionimi në Prokurorinë Publike, institucion që, sipas saj, në të kaluarën ka qenë shembull negativ për mënyrën e funksionimit.
“Vlerësuam se ky është ndoshta kandidati më i mirë që mund të sjellë një qasje të re në Prokurorinë Publike. Nevojitet një kandidat që, përveç profesionalizmit, të ketë edhe integritet personal dhe përvojë ndërkombëtare”, deklaroi Miteva.
Ajo shtoi se propozimi i qeverisë bazohet në vlerësimet profesionale dhe opinionet e dorëzuara nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, si dhe në një analizë të kujdesshme të përvojës, integritetit dhe rezultateve të kandidatit.
Sipas qeverisë, kandidati i propozuar pritet të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e standardeve profesionale dhe rikthimin e besimit të publikut në institucionin e Prokurorisë Publike.
Nenad Saveski aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Ai është magjistër i shkencave juridike në fushën e së drejtës penale nga Fakulteti Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe ka kaluar provimin e jurisprudencës.
Gjatë karrierës së tij ka punuar edhe si prokuror në Prokurorinë Themelore Publike, ndërsa ka qenë i angazhuar si ekspert në projekte të organizatave ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Evropës dhe USAID. Gjithashtu ka marrë pjesë në grupe pune për reforma ligjore dhe gjyqësore dhe është ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
Përveç Saveskit, në garë për postin e Prokurorit të Shtetit ishin edhe prokuroret Anita Topolova-Isajllovska, Lençe Ristoska dhe Lidija Raiçeviq, për të cilat Këshilli i Prokurorëve Publikë kishte dhënë opinion pozitiv.
Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski para tre javësh deklaroi në një intervistë se Lençe Ristoska nuk është fare në konsideratë për të drejtuar Prokurorinë Publike të Shtetit. Ristoska më herët ishte pjesë e Prokurorisë Speciale Publike dhe ende përfaqëson para gjykatës dy aktakuza kundër ish-funksionarëve të VMRO-DPMNE-së dhe vetë partisë.