Qeveria e RMV-së miratoi vendimin me të cilin parcela e kazermës së Armatës do t’i jepet Universitetit Nënë Tereza
Qeveria në seancën e djeshme miratoi vendimin që parcela e cila më parë i takonte kazermës së Armatës, t’i bartet në pronësi të përhershme Universitetit Nënë Tereza. Me këtë do të hapet dhe rruga për dhënien e lejes për ndërtim të kampusit të këtij Universiteti, transmeton Portalb.mk.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë si pikë e veçantë ka kaluar pika ku u është dhënë në shfrytëzim të përhershëm, 31,434 m2 tokë shtetërore, i është bartë në shfrytëzim të përhershëm Universitetit “Nënë Tereza”. Me këtë hapet rruga që të jepet leja e ndërtimit dhe shkon drejt realizimit, projektit të kampusit universitar të “Nënë Tereza”, tha zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.
Ndryshe, gjashtë vite pas themelimit, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup e ka marrë kompleksin e tij të infrastrukturës. Me vendim të Qeverisë paraprakisht, institucioni i arsimit të lartë mori këtë lokacion të Shkupit. Objektet ekzistuese u përshtatën për nevojat e kuadrit mësimor-shkencor dhe për studentët.
Universiteti “Nënë Tereza” ka 5 fakultete, dhe atë: Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Shkencave Teknike, Fakulteti i Shkencave Informatike, Fakulteti i Shkencave Teknologjike dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.
Përkujtojmë se, prej kohës kur ishte ministër i arsimit dhe shkencës tashmë i ndjeri Abdilaqim Ademi, ishte premtuar se do të ndërtohet objekti për Universitetin e Tetovës-Studimet e disperzuara në Shkup. Por, pas mbylljes së këtyre drejtimeve, u premtuar se vendi dhe objekti i premtuar do të ndërtohet për interesat e universitetit të ri në Shkup, Universitetit “Nëna Terezë”.