Provimi i jurisprudencës, “përplas” pushtetin dhe opozitën
Lidhur me provimin e jurisprundencës kanë reaguar nga partia shqiptare në pushtet VLEN, nga ku garantojnë se ky provim do të jepet edhe në gjuhën shqipe. Nga atje fajësojnë BDI-në duke theksuar se me pushtet plot 20 vjet nuk e ka kryer asnjë punë si duhet.
“BDI me pushtet plot 20 vjet nuk e ka kryer asnjë punë si duhet. Gjithmonë me stërkëmbëza, gjithmonë me gjysmë zgjidhje. Prandaj duhej të shkonin në opozitë, që shqiptarët ta shohin me sy se sa pa vullnet kanë qenë. Pushtet patën, vullnet jo”, tha VLEN.
Më herët edhe kryeministri Mickoski deklaroi se provimi i jurisprudencës mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani tha se ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, duhet menjëherë të japë dorëheqje.
“Pasi Kryeministri konfirmoi sot se me ligj provimi i jurisprudencës mund të jepet në gjuhën shqipe, një gjë është e qartë: Ministri i Drejtësisë duhet të japë menjëherë dorëheqje.
Ndërsa për përfaqësuesit e VLEN-it: Më mirë të mos shihen askund për një kohë”, tha Bujar Osmani.
Ditë më parë, nga Ministria e Drejtësisë thanë se kushti për njohjen aktive të gjuhës maqedonase është i domosdoshëm gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës.