(VIDEO)Protestuesit në Shqipëri thyejnë kordonin policor, policia u hedh sprej djegës!
Sot në orën 10:00 është zhvilluar organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.
Situata është tensionuar dhe ka kaluar në përplasje fizike përpara Parlamentit. Protestuesit kanë tërhequr me forcë gardhin metalik rrethues që ishte vendosur në hyrje të Pedonales, nga ana e godinës së Kuvendit.
Ndërkohë, për të bërë të mundur shpërndarjen e protesuesve, policia ka hedhur sprej djegës ndaj tyre.
Edhe ditën e sotme ka patur incidente duke qëlluar më vezë. Ndërkohë, janë shoqëruar 5 persona.
Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.
Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.
Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre.