Prokuroria: Vajza dhe babai dyshohen si bashkëkryes në skandalin me mbeturinat e rrezikshme në Trubarevë
Për zjarrin në deponë e mbetjeve të rrezikshme në Trubarevë, Prokuroria ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin kryesor dhe arrest shtëpiak për tre të tjerë. Prokuroria ka dhënë urdhër për zbatimin e procedurës hetimore edhe ndaj një subjekti juridik
Sipas prokurorisë, i dyshuari kryesor, edhe pse nuk figuron si drejtues zyrtar i kompanisë ku depozitoheshin mbeturinat, ka marrë vendime dhe ka vepruar sikur të ishte përgjegjës. Në këtë aktivitet ka qenë e përfshirë edhe vajza e tij, e cila ishte administratore formale dhe ortake shumicë. Të dy dyshohen se në mënyrë të përsëritur kanë lënë, grumbulluar dhe transportuar mbetje të rrezikshme elektronike, bateri dhe tonera, të cilat i kanë depozituar në një parcelë në Trubarevë, duke dëmtuar tokën dhe ajrin dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Në hetim janë përfshirë edhe dy persona të tjerë. Njëri ka qenë drejtues i një dege të kompanisë dhe ka shpërndarë detyrat te punëtorët, ndërsa tjetri, megjithëse pa kontratë zyrtare pune, ka organizuar dhe përpunuar mbeturinat elektronike edhe jashtë objekteve të lejuara.
Më 13 shtator, objekti ku ishin depozituar në mënyrë të parregullt mbeturinat ka marrë flakë. Zjarri nuk ka mundur të vihet nën kontroll dhe ka përfshirë shumicën e mbeturinave dhe objektet e degës së riciklimit. Si pasojë, në ajër janë lëshuar sasi të mëdha tymi, hiri dhe gazrash, ndërsa matjet e bëra më pas kanë treguar ndotje të lartë.
Hetimet vazhdojnë edhe për persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.