Prokuroria kërkoi masë të re paraburgimi prej 48 orësh për bashkëshortin e gruas së ndjerë në Karposh
Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi zgjatjen e masës së paraburgimit afatshkurtër për Stojançe Jovanovskin, bashkëshortin e gruas 31-vjeçare e cila, së bashku me fëmijën e tyre gjashtëvjeçar, ra nga një ballkon në lagjen Karposh të Shkupit, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria thotë se propozimi për caktimin e një paraburgimi të ri prej 48 orësh është paraqitur sepse po veprohet sipas urdhrave të lëshuara për ekspertizë të tre telefonave celularë dhe objekteve të tjera, dhe po sigurohen dhe analizohen incizimet nga disa vende kritike.
Ata gjithashtu thonë se po sigurohet i gjithë dokumentacioni për ankesat dhe raportet e mëparshme për dhunë në familje që lidhen me të dyshuarin dhe gruan e ndjerë.
“Përveç kësaj, po ndërmerren veprime të tjera që janë të rëndësishme për të vërtetuar veprat penale, elementët e të cilave po hetohen aktualisht”, thotë Prokuroria.
Nga Prokuroria sqarojnë se masa prej 48 orësh mund të caktohet vetëm dy herë, përkatësisht kjo është hera e fundit me masë të tillë, pastaj sipas nevojës do t’i caktohet paraburgim i rregullt.
Dy ditë më parë, Jovanovskit iu caktua paraburgim për një periudhë të shkurtër prej 48 orësh, siç tregohet nga Prokuroria, për të siguruar prova në lidhje me dyshimet dhe për të kryer ekspertiza, analiza kamerash, raporte kërkimi dhe veprime të tjera.
Jovanovski dyshohet për nxitje të vetëvrasjes, shkaktim të lëndimeve trupore dhe rrezikim të sigurisë.
Ministria e Brendshme tha se Jovanovski ishte i njohur tashmë për policinë për vepra që lidhen me dhunën dhe aktivitete të tjera kriminale.
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se në vitet e fundit, policia e Shkupit ka ngritur gjithsej 10 kallëzime penale kundër Stojançe Jovanovskit për vepra në fushën e krimit të dhunshëm, krimeve kundër pronës dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.
Kujtojmë se më 2 mars, nëna Ivana, bashkë me vajzën e saj 6-vjeçare Katja u hodh nga një ndërtesë në Karposh rreth orës 14:00 dhe vdiqën në vend. Krejt kjo ndodhi pas dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti i saj.